Ukraina njofton luftime të ashpra në Bakhmut

Ushtria e Ukrainës njoftoi të shtunën se forcat ukrainase dhe ruse po zhvillojnë beteja jashtëzakonisht të përgjakshme në qytetin Bakhmut. Kievi thotë se ushtria ukrainase po qëndron e fortë përballë sulmeve të përgjakshme të Kremlinit.

Ministria ruse e mbrojtjes tha më herët gjatë ditës se luftëtarët e grupit mercenar Wagner kishin kapur dy zona të tjera të Bakhmutit, objektivi kryesor i ofensivës së Moskës në Ukrainën lindore.

Grupi mercenar Wagner ka udhëhequr përpjekjen e Kremlinit për të marrë Bakhmutin që nga vera e kaluar në atë që ka qenë beteja më e gjatë dhe më vdekjeprurëse e luftës për të dyja palët.

“Beteja të përgjakshme të papara në dekadat e fundit po zhvillohen në mes të zonës urbane të qytetit”, tha Serhiy Cherevatyi, zëdhënës i komandës ushtarake lindore të Ukrainës. “Ushtarët tanë po bëjnë të pamundurën në beteja të përgjakshme dhe të ashpra për të mposhtur aftësinë luftarake dhe për të thyer moralin e armikut. Çdo ditë, në çdo cep të këtij qyteti, ata po e bëjnë këtë me sukses,” tha ai për kanalin televiziv 1+1.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se njësitë e grupit Wagner kishin marrë dy zona në periferitë veriore dhe jugore të qytetit. Agjencia e lajmeve Reuters nuk mund ta konfirmonte në mënyrë të pavarur raportin.

Kreu i grupit Wagner kërkon që Rusia të largohet nga Ukraina. Përmes një postimi në rrjetin “Telegram” të premten Yevgeny Prigozhin tha se ka ardhur koha që qeveria dhe shoqëria t’i japin fund luftës në Ukrainë.

Sipas tij, Rusia i ka arritur objektivat që synonte, ka zhdukur shumicën e meshkujve që mund të luftonin në Ukrainë dhe ka frikësuar pjesën tjetër.

Shefi i organizatës mercenare, Prigozhin nuk përmendi asnjë prej fitoreve të Ukrainës ndaj Rusisë. Ai tha se Rusia tani duhet të ruajë përgjithmonë territoret që janë nën kontrollin rus.

Grupi privat mercenar rus Wanger ka rekrutuar luftëtarë për agresionin në Ukrainë.

Ndërkohë, mbi 10 persona u vranë dhe dhjetra të tjerë mbetën të plagosur të premten si pasojë e sulmeve ruse me raketa në qytetin e Slovianskut, në Ukrainë. Mes viktimave ishte edhe një fëmijë, i cili u nxorr i gjallë nga rrënojat, por humbi jetën rrugës për në spital.

“Në këtë javë të Pashkës Ortodokse nuk ka kaluar asnjë orë pa vrasje dhe terror. Ky është një shtet kriminal që do të humbase. Ne do të fitojmë”, tha Presidenti Volodymyr Zelenskyy përmes një postimi në Twitter të premten./VOA