Festa islame, nata që vlen “sa një mijë muaj”, Nata e Kadrit

Muaji i Ramazanit, ngjarja më e madhe vjetore e besimtarëve myslimanë, ka hyrë në periudhën e tij më të rëndësishme në aspektin fetar. 10-ditëshi i fundit i këtij muaji është ai që merr dhe vëmendjen më të madhe të besimtarëve, pasi në këtë 10 ditësh është ajo që njihet si Nata e Kadrit.
Agjërimi dhe veprat e mira që bëhen në këtë ditë konsiderohen të vlefshme sa një mijë muaj. Nata e Kadrit shënon zbritjen e Kuranit në tokë dhe fillimin e shkrimit të librit të shenjtë. Sipas klerikëve, agjërimi dhe lutjet ndaj Zotit në këtë ditë përcaktojnë fatin dhe jetën e njeriut gjatë një viti.
Në këtë ditë zgjedhin të agjërojnë jo vetëm besimtarë myslimanë, por edhe të tjerë. Myslimanët besojnë se Kurani iu zbrit profetit Muhamed në shpellën Hira në Mekë.
Në Kuran nuk përmendet ndonjë datë specifike, por thuhet se Nata e Kadrit është në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit dhe zakonisht kërkohet në datat teke.