Reagon Gjykata Kushtetuese, e mohon se shefi i AKI ka ndërhyrë “për të ndalë rrëzimin Presidentes”


Kushtetuesja e mohon se shefi i AKI ka ndërhyrë “për të ndalë rrëzimin Presidentes”.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka reaguar ndaj lajmit të publikuar në një medium për një “tentim-shantazhi” ndaj gjykatësve të saj nga shefi i Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë në mënyrë që të ndalet “rrëzimi i Presidentes”. Kushtetuesja thotë se është plotësisht e pavarur në ushtrimin e funksioneve të saj.

Lajmin e publikuar në Paparaci, e kishte përgënjeshtruar edhe AKI, ndërsa Gjykata Kushtetuese thotë se në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe atyre të përcaktuara në ligjet e aplikueshme, ka bashkëpunim me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, mohon pretendimet e shkrimit të publikuar nga portali Paparaci.com, të dielën, më 16 prill 2023, me titull: “Shefi i AKI-së denoncohet për shantazh të gjyqtarëve kushtetues“. Gjykata Kushtetuese është plotësisht e pavarur në ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese. Ajo gjithashtu, në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe atyre të përcaktuara në ligjet e aplikueshme, ka bashkëpunim me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.”, thuhet në komunikatën zyrtare të saj.

Lajmi i publikuar nga mediumi Paparaci, thotë ndër të tjera se “shefi i inteligjencës i ka dorëzuar një memo kryegjyqtares kushtetuese, Gresa Caka, i cili siç përshkruhet në informatë, përmbante të dhëna për gjyqtarët kushtetues se kinse janë të përfshirë në krim dhe po shantazhohen nga jashtë me qëllim që të merret një vendim për ta rrëzuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.”