Topalli: Veliaj s’e ka provuar kurrë veten përballë një opozitari të vërtetë

Jozefina Topalli zgjedhjet e 14 majit i konsideron si të vetmet ku kreu aktual i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj përballet me një opozitë të vërtetë. Në fjalën e saj në emisionin Quo Vadis në Vizion Plus, Topalli theksoi se në betejat e mëparshme, Veliajt i është dhuruar mandati nga ish kreu i PD, Lulzim Basha.

 

“Erion Veliaj nuk është votuar asnjëherë për të provuar veten në garë, në 2019 e mori pa asnjë garë sepse Lulzim Basha ia dhuroi, katër vite mëparë kishte përsëri aleancën e Lulzim Bashës, pavarësisht se nxori kandidat shumë të mirë në atë kohë doktori, doktor Kosovën, por Lulzim Basha kishte një raport dhe vazhdon ta ketë një raport shumë special me Veliajn. Veliaj nuk e ka provuar kurrë veten me një kandidat real politik, me një opozitë reale që nxjerrë një kandidat dhe që pretendon ta marrë bashkinë”, shtoi ajo.

 

Në të njëjtën kohë, Topalli theksoi se opozita është e vendosur për të fituar këto zgjedhje përmes koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Lidhur me aleancën me partinë e Ilir Metës, Topalli tha se është një nevojë për bashkim forcash përballë kundërshtarit direkt.