Naim Tërnava: Nesër krenarë e faqebardhë me familjet tona festojmë Fitër Bajramin


Tërnava: Nesër krenarë e faqebardhë me familjet tona festojmë Fitër Bajramin.

Myftiu i Kosovës Naim Tërnava, ka dhënë mesazhin e tij me rastin e festës së Fitër Bajramit.

Ai është shprehur se sonte mbyllet agjërimi dhe nesër festohet Fitër Bajrami, festë kjo, siç u shpreh ai, tashmë e shtresuar thellë në identitetin tonë.

“Sonte në vaktin e iftarit, besimtarët myslimanë mbyllin agjërimin e muajit të bekuar, Ramazan, gjatë të cilit me përkushtim, bindje, devotshmëri kryen një ndër kushtet themelore të besimit islam, agjërimin e muajit Ramazan”

“Ramazanin po e përcjellim të lumtur që krijuesi na e dha mundësinë t’i përjetojmë nimetet e tij, e nesër krenarë e faqebardhë me familjet tona festojmë festën e Fitër Bajramit, festë kjo tashmë e shtresuar thellë në identitetin tonë. Fitër Bajrami është festa më popullore që prek të gjitha moshat dhe të gjitha kategoritë e shoqërisë. Fitër Bajrami na vjen pas një muaji të mëshirës e sakrificës, pas muajit të faljeve e begative të veçanta që i sjell vetëm Ramazani”, u shpreh ai.

Tërnava uroi festën, duke dëshiruar ngrohtësi, dashuri, harmoni e lumturi, përcjell Klankosova.tv.

“Në këtë natë të madhe në vigjilje të festës së Fitër Bajramit, lusim Zotin për mirësi, begati, paqe, harmoni, larg zënkave e konflikteve, sherreve e egove të dynjasë. Duke iu uruar e përgëzuar, lutem që në familjet tona, festa e Fitër Bajramit të na sjellë ngrohtësi, dashuri, harmoni e lumturi. Me fat festa e Fitër Bajramit”, u shpreh tutje ai.