S’ka punëtorë për hotelet/ Shumë biznese në Durrës po marrin punonjës të huaj

Ky sezon turistik duket se do të jetë edhe më sfidues se ai i një viti më parë, në drejtim të sigurimit të punëtorëve. Edhe këtë vit, kryefjalë e shqetësimit për hotelet mbetet gjetja e punonjësve të kualifikuar.

 

Hotelet në qytetin bregdetar të Durrësit po rrisin çdo vit numrin e të huajve, që shërbejnë në strukturat akomoduese, ndonëse kostoja e tyre është më e lartë se e një punonjësi shqiptar.

 

Operatorët turistikë thonë se edhe të huajt nuk janë të qëndrueshëm, dhe kjo vjen si pasojë e sezonit të shkurtër turistik.

 

Ndaj, sipas tyre, çelësi i suksesit është zgjatja në kohë e sezonit, përtej 4 mujorit që është aktualisht.

 

Nga një llogaritje e bizneseve, çdo i huaj i punësuar në sektorin e hoteleri-turizmit ka një kosto prej afro 1000 euro shtesë, për shkak të akomodimit, biletës së avionit, apo dhe plotësimit të dokumentacionit me leje qëndrimi në Shqipëri.