Tani, kur ky projekt shkoi goxha përpara, duket se pjesa më e madhe e opinionit orientohet kah pengimi i tij. Një tendencë e çuditshme, alogjike dhe vet-shkatërruese. Në një vend normal do të kishte një konsensus të plotë për një projekt të kësaj rëndësie, që vendin e shndërron në një udhëkryq tregtar me potencial të lartë zhvillimor.
Shkruan: Xhelal Neziri
Debati për Korridorin VIII duket se po vendoset në kornizat e përplasjeve midis partive politike, me një prapavijë të dukshme etnike. Duket se partitë në pushtet e mbrojnë dhe e promovojnë si sukses historik nisjen e punimeve të këtij korridori, ndërkohë që ato në opozitë alarmojnë për keqpërdorime financiare dhe mosrespektim të ligjeve dhe Kushtetutës së vendit. Në rrafshin etnik, hetohet se më të zëshëm kundër janë maqedonasit, kurse më në favor janë shqiptarët.
Në Maqedoninë e Veriut është bërë traditë që çdo mospajtim politik, qoftë ai edhe për tema ekonomike, të bartet në rrafshin e marrëdhënieve ndëretnike. Kjo po ndodh edhe me Korridorin VIII, i cili është kryekëput projekt infrastrukturor dhe ekonomik për vendin, por me rëndësi gjeopolitike për Perëndimin.
Është me rëndësi për vendin për shkak se rrugët janë arteriet që mbajnë një shtet të gjallë dhe e bëjnë të zhvilluar. Shkalla e zhvillimit ekonomik është në proporcion të drejtë me gjatësinë e autostradave dhe cilësinë e rrugëve në përgjithësi. Me vetëm 300 kilometra austostradë RMV renditet e fundit në rajon. Kryeqyteti lidhet me autostradë me Greqinë, Serbinë, në drejtim të Shqipërisë përfundon në Tetovë, kurse në drejtim të Bullgarisë – në Kumanovë.
Maqedonia e Veriut është në fund të listës evropiane për kualitetin e rrugëve. Sipas rangimit të Global Economy, vendi është në pozitën e 35 nga gjithsej 40 shtete evropiane, me një vlerësim prej 3.4, që është më i ulët edhe në Ballkan. Para RMV-së janë Bullgaria (34), Serbia (33), Mali i Zi (30), kurse pas është vetëm Bosnja dhe Hercegovina (BeH). Shqipëria është më lartë në listë sa i përket rajonit, duke u renditur në vendin e 28-të, menjëherë pas Greqisë (19), ndërkohë që Kosova nuk është përfshirë në analizë. Ky studim ka kapur periudhën nga viti 2006 e deri në vitin 2019, duke vlerësuar rrugët në 141 shtete të botës, me ç’rast janë anketuar 14.000 biznesmenë nga të cilët është kërkuar t’i vlerësojnë cilësitë e rrugëve nga 1 (të pazhvilluara) deri më 7 (të gjera dhe efikase sipas standardeve ndërkombëtare).
Me 110 kilometra të reja, që do të ndërtohen nga kompania Bechtel&Enka, vendi do të përmirësojë dukshëm infrastrukturën rrugore dhe do të rrisë gjasat të tërheqë investues të rinj. Aq më tepër kur ky Korridor do të lidhë portin e Durrësit në Shqipëri me Burgas/Varna në Bullgari, që paraqet ribërje të Rrugës së Mëndafshit që lidhi Perëndimin me Lindjen e Largët. Një përfitim tjetër i Maqedonisë së Veriut është edhe fakti se me këtë projekt shndërrohet në udhëkryq të rëndësishëm të dy korridoreve të fuqishme (VIII dhe X), një situatë për të cilën ka kohë që ëndërrojnë dhe punojnë shtetet më të fuqishme të rajonit, siç është Bullgaria dhe Greqia.
Janë krejtësisht legjitime shqetësimet për keqpërdorimet e mundshme që mund të ndodhin gjatë ndërtimit të këtij mega-projekti, që kap shumën prej 1.3 miliardë eurosh. Organet kompetente, mediat dhe shoqëria civile kanë të drejtë të kërkojnë më shumë transparencë për shkak se janë të vetëdijshëm se çka ndodhi me autostradën Kërçovë-Ohër, që ndërtohet me kredi kineze dhe nga një kompani kineze, e cila fillimisht u projektua të kushtojë 280 milionë euro, kurse tash ka arritur në 600 milionë dhe ende nuk është finalizuar. Por, gjithmonë duhet pasur parasysh disa fakte që çmontojnë narrativa të rrezikshme për vendin:
E para, projekti nuk është njëetnik, siç nuk është asnjë rrugë apo rrugicë tjetër në çdo cep të shtetit. Të gjitha projektet publike financohen me para të të gjithë taksapaguesve dhe, si të tilla, u përkasin të gjithë qytetarëve. Shtrirja e tij nga kufiri me Bullgarinë e deri te ai me Shqipërinë prek afër 63 për qind të popullsisë së vendit.
E dyta, lidhja me Shqipërinë dhe Bullgarinë do të nxisë bashkëpunimin ekonomik me të dyja vendet, me tendencë që të arrijë në nivelin e bashkëpunimit me Greqinë dhe Serbinë. Nëse të gjitha vendet përreth lobojnë për njërin nga dy korridoret, Maqedonia e Veriut nuk i sheh asnjërin si konkurrentë pasi brenda gjeografisë së saj nuk përjashtojnë njëri-tjetrin. Për shembull, për të konkurruar Korridorin VIII, Greqia ka ndërtuar autostradën Via Egnatia, që lidh Stambollin (Turqi) me Durrësin (Shqipëri).
E treta, ngecja e ndërtimit të Korridorit VIII figuron në të gjitha raportet e progresit të Komisionit Evropian (KE), duke u kritikuar vendi për ngecjet e panevojshme. Në raportin e fundit thuhet: “Lidhja rajonale e transportit përparon ngadalë. Ka pasur disa përparime në përmirësimin e pjesëve kryesore rrugore, por punimet në Korridorin VIII hekurudhor për në Bullgari janë ende të ngecura. Pasi afati i dytë për përfundimin e ndërtimit të autostradës Kërçovë-Ohër nuk u realizua në qershor të vitit 2021, periudha e përfundimit u zgjat edhe për dy vjet”. Të njëjtat kritika gjenden edhe në raportin e vitit 2021: “Cilësia e infrastrukturës së transportit dhe logjistikës tregtare mbetet e ulët, veçanërisht për shkak të vonesave në doganat kufitare. Kur bëhet fjalë për rrjetet trans-evropiane, Korridori rrugor VIII ka nevojë për një përmirësim thelbësor në nivelin e autostradës…Ndërtimi i Korridorit VIII hekurudhor drejt Bullgarisë po përballet me vonesa të konsiderueshme”. Në raportin e vitit 2020, përveç kritikave për vonesat në Korridorin VIII, shënohet edhe mungesa e përparimit të lidhjes së Korridorit X me Kosovën. “Është vonuar fillimi i punimeve në lidhjen e Korridorit X nga Shkupi në Kosovë…Si rezultat, potenciali i kompanive për t’u angazhuar në tregti dhe në zinxhirët globalë të prodhimit zvogëlohet. Gjendja e keqe e shumicës së rrugëve lokale rrit koston e kompanive në zonat rurale për të marrë pjesë në tregti”. Në raportin e KE-së për 2019, midis tjerash, thuhet: “…Mungesa e angazhimit politik dhe e vendimmarrjes vonoi ndjeshëm ndërtimin e Korridorit VIII hekurudhor drejt Bullgarisë. Nevojiten përpjekje shtesë për të përshpejtuar progresin në këtë Korridor dhe në seksione të tjera prioritare në rrjetin bazë dhe gjithëpërfshirës, si në hekurudhë ashtu edhe në atë rrugor”.
Kritika për vonesa në ndërtimin e Korridorit VIII përmbajnë edhe raportet tjera të Komisionit Evropian (KE). Tani, kur ky projekt shkoi goxha përpara, duket se pjesa më e madhe e opinionit orientohet kah pengimi i tij. Një tendencë e çuditshme, alogjike dhe vet-shkatërruese. Në një vend normal do të kishte një konsensus të plotë për një projekt të kësaj rëndësie për vendin, që e shndërron në një udhëkryq tregtar me potencial të lartë zhvillimor. Aq më shumë kur ka vulën e BE-së (Kretë 1993, Helsinki 1997) dhe SHBA-së (New York 1995, Shkup 2023).