LSDM i kundërpërgjigjet Mickoskit: Shpërndan të pavërteta kundër ndërtimit të Korridoreve

LSDM reagoi se VMRO-DPMNE, në krye me Hristijan Mickoskin po shpërndan të pavërteta kundër ndërtimit të akseve të autostradës. Thonë se është gënjeshtër se shteti do të paguaj penale nëse Kuvendi nuk e voton pakon me propozim ligjet për ndërtimin e korridore 8 dhe 10 D. Demantojnë gjithashtu se 70% e punëtorëve do të jenë nga vendet e huaja.

“Ligji për ndërtimin e korridoreve është i qartë, thonë nga LSDM, duke cituar nenin 11 ku parashihet që më së paku 51% e resurseve të angazhuara të jenë lokale. “Akuzat e Mickoskit për mënyrën e re të ndërtimit, me faza, me të cilën sigurohet shpejtësia dhe efikasiteti në ndërtimin e Korridoreve tregon se hajka që po udhëheq është për arsye politike dhe fitimprurëse dhe nuk ka të bëjë me asgjë tjetër. Kaosi që bëri VMRO-DPMNE me aksin Kërçovë-Ohër, nuk do të lejojmë të ndodhë më”, thuhet në reagimin e LSDM-së.