Pse mediat maqedonase e shpallin VMRO-në “Hamas dhe Hezbollah maqedonase”?

Portali në gjuhën maqedonase, maktel.mk, e ka shpallur VMRO-DPMNE-në “parti terroriste” duke e quajtur “Hamas dhe Hezbollah maqedonase”.

Shkas për t’ia dhënë këto epitete ka qenë një vendim i Këshillit të Komunës së Manastirit, që të dënuarve për dhunën e 27 prillit, pra, për ata që e përgjakën Kuvendin e Maqedonisë më 2017-tën, t’u ndahet nga 10.000,00 denarë.

Propozimin e kanë dhënë këshilltarët e VMRO-së, ndërkaq atë e kanë përkrahur edhe ata të Të Majtës(Levicës).

Në shikim të parë duket si teprim kualifikimi I VMRO-së me epitetet e sipërpërmendura, por në anën tjetër, si të quhet ky solidarizim i këshilltaarëve të VMRO-së me dhunuesit e institucioneve dhe kërcënuesit e jetëve të deputetëve, kur Zijadin Sela u la në korridor pa shenja jete, e Zaevi mezi shpëtoi kokën?

Do të duhej të kishte pasur një distancim të qartë të VMRO-së nga dhuna e ushtruar, por kjo nuk ka ndodhur në mënyrë eksplicite, përveç demagogjisë së udhëheqësve të tyre në seancat gjyqësore kur janë akuzuar si organizatorë. Pas gjashtë vitesh është tendenca e qartë e kësaj partie për ta relativizuar dhunën, madje me këso veprimesh të pacipë, edhe për ta arsyetuar atë si diçka “të arsyeshme” për momentin e atëhershëm.

Nëse e shikojmë nga këndi ironik, i bie që ka një “korrektësi” dhe “konsekuencë” në gjithë këtë. Sepse, VMRO-ja jep porosi të qartë publikut se pas kësaj ngjarje që tronditi vendin dhe prishi rendin kushtetues, se pas atyre njerëzve që iu sulën parlamentit dhe të zgjedhurve të popullit, qëndron vetë kjo parti, se ata janë anëtarë të saj dhe se është korrekte për të mos i lënë në batak tash kur ndokush po merr ndonjë dënim për dhunën.

Thonë se ujku e ndërron qimen, por tabihatin jo! Pikërisht solidarizimi me dhunën, edhe një herë dëshmon se në “vlugun” revolucionar që ia përshkruante vetes kjo parti, vazhdojnë të jetojnë ato sekuenca të dhunës që e kanë përshkuar qoftë si lëvizje, qoftë si organizatë, qoftë si parti politike./desk.mk