Ahmeti priti në takim presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani

Kryetari i BDI-së, z. Ali Ahmeti sot ka pritur në takim Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në fokus të bisedës mes Ahmetit dhe presidentes Osmani ishin marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, perspektiva europane, marrëveshja e arritur me Serbinë si dhe situata në rajon.

Duke e përgëzuar për procesin e liberalizimit të vizave si një hap shumë i rëndësishëm i Kosovës, Ahmeti dhe Osmani kanë theksuar se në këto çaste vendimtare për të ardhmen europiane të të dy vendeve, është me rëndësi përforcimi i bashkëpunimin dhe konsolidimit të veprimeve deri në finalizimin e qëllimeve.

Procesi i ndryshimeve kushtetuese është cilësuar si i domosdoshëm për rrugën europiane të cilën  e ka nisur Republika e Maqedonisë së Veriut, ku kryetari Ahmeti e ka informuar presidenten Osmani mbi iniciativën e fundit ku të përfshirë janë të gjithë aktorët politikë dhe shoqërorë në vend.

Të dy bashkëbiseduesit kanë vlerësuar se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës bashkë duhet të përshpejtojë hapin drejt Europës, si alternativë e vetme për mbarë rajonin e Ballkanit Perendimor.

Ahmeti ka shprehur qëndrimin dhe mbështetjen për finalizimin me sukses të dialogut dhe njohjes së ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.