Navalny akuzohet për terrorizëm, kërcënohet me 30 vjet burg

Lideri i opozitës ruse Alexei Navalny, i cili është i burgosur, thotë se kundër tij ka nisur një hetim i ri, këtë herë me akuza për terrorizëm dhe se ai do të gjykohet nga një gjykatë ushtarake për akuzën “absurde”.

 

Navalny e bëri këtë deklaratë në një seancë dëgjimore, më 26 prill, në Gjykatën e Qarkut Basmanny të Moskës, përmes një videoje.

 

“Ata bënë akuza absurde, të cilat më kërcënojnë me 30 vjet burg”, tha ai në deklaratën e postuar në rrjetet sociale nga mbështetësit e tij.

 

“Hetuesi Vidyukov tha dje se rasti për terrorizëm është iniciuar veçmas nga ky rast dhe se unë, duke qenë në burg, kryej sulme terroriste”, shtoi ai.

Navalny u shfaq në seancë përmes video-lidhjes nga burgu në rajonin e Vladimirit. Vetëm pak minuta pasi nisi seanca, gjyqtarja Yevgenia Nikolayeva vendosi që ajo të mbahej me dyer të mbyllura.

 

“Përpjekja për të mbajtur këtë seancë me dyer të mbyllura është një përpjekje për të kufizuar në mënyrë të paligjshme qasjen time në materialet e çështjes dhe një përpjekje për të bërë gjithçka që është e mundur që askush të mos marrë vesh për të”, tha Navalny dhe shtoi se materialet e rasti përbëhen nga 196 vëllime.

 

Bashkëpunëtori i Navalny-t, Ivan Zhdanov, tha më herët se hetuesit i kishin dhënë Navalny-t, i cili është avokat i arsimuar, vetëm një ditë për t’u njoftuar me 700 faqe të materialit për rastin. Rasti nisi në tetor kundër të korruptuarve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, pasi që fondacioni anti-korrupsion i Navalny-t ishte shpallur si ekstremist.

 

Më pas, ata u akuzuan për organizimin dhe mbështetjen financiare të një grupi ekstremist.

Navalny tha se një tjetër çështje u hap kundër tij në tetor, me akuzën e propagandimit të terrorizmit dhe nazizmit, për shkak të deklaratave të bëra nga bashkëpunëtorët e tij në kanalin Popular Politics në YouTube. Ata kritikuan presidentin rus Vladimir Putin dhe qeverinë e tij dhe dënuan pushtimin e Ukrainës nga Moska.

 

Shërbimi Federal rus i Sigurisë (FSB) pretendoi në fillim të këtij muaji se bashkëpunëtorët e Navalny-t, së bashku me shërbimet sekrete ukrainase, ishin të përfshirë në vrasjen e gazetarit dhe propaganduesit pro-Kremlinit, Vladlen Tatarsky, në qytetin e dytë më të madh të Rusisë, Shën Petersburg, në fillim të prillit./REL/