“Fronti i tretë” në zgjedhjet presidenciale të Turqisë, ultra-nacionalisti Sinan Ogan , tha se ishte i hapur për dialog.
Megjithatë ai nuk përjashtoi mundësine se mund t’u bëjë thirrje mbështetësve të tij që të votojnë Rexhep Tajip Erdogan në raundin e dytë.
Ogan, i cili vjen nga Partia e Veprimit Nacionalist, fitoi 5.17% në raundin e parë të dielën, sipas rezultateve zyrtare por ende të pa konfirmuara. Asnjëri nga dy të tjerët, as presidenti në largim islamik-konservator dhe as rivali i tij kryesor, lideri i Partisë Popullore Republikane, Kemal Kilicdaroglu, nuk arritën të mbledhin 50% për t’u zgjedhur në raundin e parë.
Kështu ata do të përballen në një raund të dytë, më 28 maj.
Deri më tani, Ogan, i cili nuk u mbështet nga asnjë parti, deklarohet i hapur për dialog me dy kandidatët.
“Një vendim do të merret pas bisedimeve me Erdogan dhe Kilicdaroglu ,” i tha ai AFP. “Mund të themi se nuk mbështesim as njërën, as tjetrën ”, shtoi ish-deputeti.
Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e Erdoganit sqaroi se në këtë fazë nuk e di nëse do të ketë ndonjë takim mes presidentit në largim dhe Sinan Ogan.
Ogan tha se nuk ishte i befasuar nga numri i madh i votave që mori të dielën, duke ia atribuar suksesin e tij nacionalistëve turq dhe të rinjve që janë lodhur me fytyrat e vjetra të politikës. Ai përsëriti se është në favor të një linje të ashpër ndaj kurdëve dhe kundërshton çdo formë terrorizmi.
“Unë jam kundër çdo organizate që nuk distancohet nga terrorizmi ,” tha ai, duke iu referuar Partisë Pro-Kurde Popullore Demokratike (HDP), të cilën qeveria e akuzon se ka lidhje me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).
HDP u ka bërë thirrje votuesve të saj të mbështesin Kilicdaroglu.