Osmani: Kredibiliteti i idesë europiane është fuqia për ndryshim në rajon

Në Maqedoninë e Veriut, e prezantuam idenë “Më shumë integrim përpara anëtarësimit”, që do të thotë se vendet kandidate për anëtarësim në Union kanë nevojë për hapa afatshkurtër, por të besueshëm për përparim. Këtë e theksoi shefi i diplomacisë dhe kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani, në Forumin GlobSec 2023 në Bratisllavë.

“Deri tani kemi liberalizimin e vizave, komunitetin e transportit, komunitetin energjetik – që të tre janë shembull i mirë i BE-së si eksportues i vlerave dhe detyrimeve në rajon para anëtarësimit. Pra, duhet t’i zgjerojmë këto fusha politikash në të cilat vendet kandidate do të mund të jenë pjesë përpara anëtarësimit, siç është matja e rezultateve të reformave gjyqësore apo edhe pjesë të tregut të përbashkët, por sigurisht që kjo duhet të jetë e shoqëruar me mbështetje financiare” theksoi Osmani.

Ministri tha se qëllimi i konceptit është t’u mundësojë vendeve të Ballkanit Perëndimor qasje në fondet dhe pozicionet e vëzhgimit në institucionet europiane.

“Kjo do të thotë se ne gjithashtu duhet ta ndryshojmë qasjen tonë nga pranueshmëria për përdorimin e fondeve të para-anëtarësimit në pranueshmërinë për qasje në fondet strukturore dhe kohezive. Si dhe mendoj se në këtë mënyrë do të ecim përpara, do ta ruajmë kredibilitetin, do t’i mbajmë njerëzit tanë në proces, do të përpiqemi t’i menaxhojmë ndikimet e palëve të treta, të cilat natyrisht nuk ofrojnë alternativë për rajonin, por vetëm rrisin këtë energji të frustracionit të njerëzve dhe e drejtojnë atë në fushat e tyre të interesit. Kjo nuk duhet parë si alternativë e anëtarësimit, por si proces i ruajtjes së kredibilitetit të procesit në atë rrugë”, tha Ministri dhe Kryesuesi i OSBE-së, Osmani.