Raporti për Kosovën, Këshilli i Evropës ka caktuar dy juristë – a do të ketë bllokada politike?


Raporti për Kosovën, KiE ka caktuar dy juristë – a do të ketë bllokada politike?

Pas vendimit të Komitetit Ministror që t’ia përcjellë kërkesën e Kosovës për anëtarësim, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës së fundi ka ndërmarrë hapa për të proceduar tutje këtë çështje.

Presidenti i Asamblesë Parlamentare në mbledhjen e Komitetit të Përhershëm të KiE ka caktuar dy juristë të cilët do të bëjnë një raport vlerësimi për Kosovën.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i cili është pjesë e delegacionit të deputetëve kosovarë në Këshillin e Europës, për Gazetën Express ka treguar emrat e juristëve.

Avokati gjerman Thomas Markert dhe avokatja finlandeze Sia Spiliopoulou Akermark janë dy juristët që do të merren me hartimin e raportit për Kosovën. I pari ishte i përfshirë në hartimin e kushtetutave të shteteve të rajonit, përfshirë edhe atë të Kosovës, ndërsa Akermark ka në fushë të interesit minoritetet.

Cila është CV-ja e dy juristëve që do të merren me Kosovën?

Thomas Markert ka doktoraturë në drejtësi nga Universiteti Tübingen. Këshillit të Europës ai iu bashkua më 1989 dhe ka punuar për Komisionin e Venecias që nga viti 1992. Markert mori pjesë në hartimin e Kornizës Kushtetuese për Kosovën, Kushtetutën e Shqipërisë, Kartën Kushtetuese të Serbisë dhe Malit të Zi, propozimet për ndryshimin e Kushtetutës së Dejtonit në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe ligjin special për referendumin për pavarësinë në Mal të Zi. Në Europën Lindore ai ishte i përfshirë në përgatitjen e opinioneve të Komisionit të Venecias mbi Kushtetutën e Ukrainës dhe përpjekjet për ta rishikuar atë, për referendumin kushtetues në Bjellorusi, reformat kushtetuese në Moldavi, Gjeorgji dhe Kushtetutën e Republikës çeçene.

Sia Spiliopoulou Akermark është drejtoreshë e Institutit të Paqes Aland që nga viti 2007. Ajo ka doktoraturë në të drejtën ndërkombëtare nga Universiteti Uppsala. Ajo ishte anëtare dhe eksperte e Komitetit Këshillimor për Pakicat Kombëtare të Këshillit të Europës. Fushat e interesit dhe ekspertizës së Sia Spiliopoulou Akermark janë minoritetet, popujt indigjenë, si dhe marrëdhënia midis ligjit ndërkombëtar dhe atij kombëtar, çështjet e sigurisë kolektive, zgjidhjet paqësore të konflikteve dhe rregullave mbi dhunën ndërkombëtare.

Po ashtu, Gashi ka thënë se së shpejti pritet caktimi i një raportuesi nga Komiteti për Politikë dhe Demokraci. Për të tha se është shpall deklarimi i interesit dhe se ka gjasë që në sesionin e mesit të qershorit të emërohet.

Këto raporte bëhen për të vlerësuar përshtatshmërinë e sistemit ligjor të Kosovës me parimet thelbësore të Këshillit të Europës.

Sipas procedurës, raporti i hartuar do të diskutohet dhe votohet nga Asambleja Parlamentare. Më pas, do të duhen 2/3 e votave për t’i rekomanduar Komitetit të Ministrave që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtare e KiE.

Por, për anëtarësimin në këtë organizatë shtetet e fuqishme kanë vendosur edhe disa “pengesa”.

Së fundi, shtetet e QUINT përmes një deklarate i janë drejtuar Qeverisë së Kosovës që të zbatojë plotësisht dhe me urgjencë regjistrimin e ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit. Dhe për këtë thanë se është kusht për procesin e anëtarësimit të Kosovës në KiE.

“Sundimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë detyrime për të gjitha qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike dhe parakushte të domosdoshme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike, duke përfshirë përparimin e mëtejmë në aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Vonesa e mëtejme është vetëm pengesë për këtë përparim”, tha QUINT në deklaratë.

Sidoqoftë, për këtë kusht dhe nëse edhe miratimi i Kodit Civil do të bëhet kushti i radhës për progresin e Kosovës në KiE për shkak të neneve që flasin për bashkëjetesë së personave të gjinisë së njëjtë, nuk janë në dijeni deputetët kosovarë që janë pjesë e delegacionit në këtë organizatë.

Çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Europës është përmendur edhe në kontekst të sanksioneve që SHBA ia ka shqiptuar Kosovës dhe qortimeve që erdhën nga Gjermania për shkak të veprimeve të Qeverisë në Veri.

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns, është cituar në “The Guardian” duke paralajmëruar SHBA-në kundër ndëshkimit joproporcional të Kosovës për zhvillimet në Veri. Në të njëjtin reagim, Karnes ka theksuar se Kosova duhet të lejohet të anëtarësohet në Këshillin e Europës.