Vuçiç: Pres nga Perëndimi propozimin për uljen e tensioneve me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, më 2 qershor, tha se nuk e di se cila është zgjidhja për shtensionimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe se po pret të dëgjojë propozimet e zyrtarëve perëndimorë që vijnë në Beograd.

“Vetëm nga e hëna, kur të dëgjoj Lajçakun dhe Escobarin, atëherë do t’i thërras serbët nga Kosova për t’u konsultuar. Nuk e di se çfarë ka menduar dikush si rrugëdalje”, tha Vuçiç për televizionin Prva.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun, Miroslav Lajçak dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, javën e ardhshme do të vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin.

Vizita e tyre vjen në mes të tensioneve në veri të Kosovës, ku grupe të serbëve lokalë në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, kanë protestuar për një javë kundër kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave.

Bashkimi Evropian iu bashkua thirrjeve të Francës dhe Gjermanisë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës.

BE-ja gjithashtu kërkoi që të sigurohet pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në zgjedhje të tilla, si dhe fillimi i punës për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilën është rënë dakord me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.

Brukseli paralajmëroi gjithashtu se mosplotësimi i kërkesave do të ketë pasoja të rënda në marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë me BE-në.

Vuçiq po ashtu tha se nuk e di nëse serbët duhet të marrin pjesë në zgjedhjet në veri të Kosovës.

“Më duhet të flas me ta këto ditë dhe të shoh se çfarë do të fitojë populli ynë, e jo vetëm çka do të lëshojë pe. Ne jemi gjithmonë të gatshëm dhe duam paqe dhe ulje të tensioneve”, tha Vuçiq, duke shtuar se nuk është optimist.

Vuçiq tha se më 2 qershor ka biseduar me zyrtarët amerikanë – me të dërguarin e Bashkimit Evropian (BE) për sanksione, David O’Sullivan, me këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ambasadorin amerikan në Serbi, Christopher Hill dhe zëvendës-këshilltarin për siguri kombëtare të SHBA-së, Jon Finer.

Rezultati i këtyre bisedimeve, të cilat nuk u njoftuan zyrtarisht, nuk është bërë i ditur.

Presidenti i Serbisë njoftoi gjithashtu se, më 3 qershor, do të vizitojë Dragisha Galakun e plagosur në Zveçan.

Sipas deklaratave të mëhershme të Vuçiqit, ai është njëri nga tre të plagosurit rëndë në përleshjet me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, dhjetëra ushtarë të të cilit u plagosën më 29 maj, gjatë ndërhyrjes për shpërndarjen e demonstruesve serbë.

“(Kryeministri i Kosovës Albin) Kurti dëshiron që Serbia dhe NATO të hyjnë në një konflikt. Ndërkaq, nuk është në interesin tonë të hyjmë në luftë me NATO-n”, tha Vuçiq, më 2 qershor.

Vuçiq konfirmoi gjithashtu se këtë javë është takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, në Moldavi dhe mohoi që Zelensky ka kërkuar nga Beogradi zyrtar të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

“Ne shtrënguam duart, folëm për herë të parë në jetën tonë, për katër minuta. Më sulmuan menjëherë… sepse folëm katër minuta, u takuam dhe biseduam. Nuk e prekëm për asnjë moment atë çeshtje (sanksionet)”, tha Vuçiç./R.E.L