Ndryshimet kushtetuese duhet të ndodhin, siç ndodhi me Marrëveshjen e Prespës, ashtu duhet të ndodh edhe me Marrëveshjen për fqinjësi të mirë. Përfshimi i bashkësive, bullgarëve, malazezëve dhe të tjerëve të jenë kategori kushtetuese, me çka më në fund do të mbyllet një kapitull historik për bashkëqytetarët tanë maqedonas dhe më në fund të legjitimohen si komb dhe kulturë në nivel ndërkombëtar dhe për këtë e kanë përkrahjen tonë më të madhe, tha kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti në shënimin e sotëm të 21-vjetorit nga themelimi i partisë.
Ahmeti i apeloi VMRO-DPMNE-së që të reflektojnë dhe ta shohin gabimin që e kanë bërë në rastin me Marrëvehsjen e Prespës dhe të solidarizohen ndaj ligjitimit të kombit dhe integrimit të vendit në BE.
“Mendoj se VMRO-DPMNE-ja ka aq kapacitet, edhe kadrovike, edhe programore që të reflektojnë rreth ngjarjeve politike dhe rreth çështjeve gjeopolitike, të cilat janë të rëndësishme për shtetin dhe për rajonin”, tha Ahmeti.
Bashkimi Demokratik për Integrim sot me panel diskutim të quajtur “Fronti evropian” dhe fjalimin e liderit të partisë, Ali Ahmeti, shënoi 21 vjet nga themelimi.
“Mbyllim një kapitull historik. Kemi bërë histori, historinë më të re të këtij shteti”, tha Ahmeti në fjalimin para anëtarëve të BDI-së, duke shtuar se gjatë 21 viteve të kaluara nuk kanë përjetuar humbje dhe në secilin ballafaqim kanë qenë më të suksesshëm.
Duke u kthyer në konfliktin e vitit 2001, Ahmeti tha se ai nuk ka qenë për ndarjen e pushtetit, por për unitet dhe se viteve pas tij, BDI-ja ka punuar në bashkimin e shqiptarëve në vend.
“Maqedonia tani është vend i NATO-s. Para nesh tani parashtrohet mision ose kërkesë e re. Që ta lehtësojmë këtë proces, kemi analizuar deri në hollësira se cila është nevoja më e madhe në këtë situatë, që mund t’i shërbejë këtij vendi!”, tha Ahmeti, duke e përmendur Frontin për Evropë dhe serinë e takimeve dhe konsultimeve.
Fronti për Evropë është i hapur për të gjitha partitë, pa dallim nëse ato janë në pushtet ose opozitë.
“Mision i posaçëm i BDI-së është anëtarësimi i vendit në BE dhe kjo është një shërbim i posaçëm për qytetarët dhe kjo do të ishte sukses dhe arritje e madhe për vendin dhe BDI-në”, tha Ahmeti.
Sipas liderët të BDI-së, pasi përfundoi zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, ata janë oriantuar drejt ndërtimit të infrastruturës, që është shumë me rëndësi për çështjet për ardhmërinë e vendit tonë dhe rajonit.
“Korridori 8 më nuk është ëndërr, që 30 vite ka qenë në sirtar. Tani kanë filluar punët për ndërtim dhe për pesë vite do të përfundojë dhe do të kushtojë pothuaj dy miliardë euro. Kjo do të jetë një ndihmë e madhe për prosperitetin evropian të vendit”, tha Ahmeti.
Ai, po ashtu, foli edhe për ndarjet në parti dhe kërkoi që të mos hidhërohen 150.000 njerëz që e kanë votuar BDI-në.
“Nuk kanë të drejtë. Kam dhembje shpirtërore. Me këtë fraksion, ata janë në akison, e jo si fraksion. Unë nuk dua që punët personale të vendosen mbi ato të përbashkëta. Çdoherë debatohej brenda në BDI. Nuk do t’i zgjidh problemet fqinji, por ato probleme zgjidhen në shtëpi”, tha Ahmeti, duke u përqëndurar në situatën brenda në parti.
Paraprakisht, sot në panel debat, të quajtur “Fronti Evropian”, përveç Ahmetit, folën edhe ish ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, profesori Petar Arsovski, gazetari Gazmend Ajdini, ish kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi, e tjerë.