Rama për veriun: Policia të tërhiqet menjëherë, s’ka çka rrinë atje kot nëpër godina bosh


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një konferencë për media ka thënë se Policia e Kosovës duhet të tërhiqet menjëherë nga objektet komunale në veri të Kosovës.

Madje i pari i qeverisë shqiptare ka thënë se policia s’ka pse rri atje, “nëpër godina bosh”.

“Atje janë katër kryetarë komunash që e mbaruan misionin e tyre. Duhet të shpallur zgjedhje të reja. Duhet të tërhiqet policia menjëherë, s’kanë çka rrinë atje kot, nëpër godina bosh. Ndërkombëtarët janë të zotët e shpisë atje. Ajo që mund të ndodhi është shumë e rëndë. Nëse trupat e huaja do të marrin veriun e Kosovës, çështja do të kthehet në tryezë kush e di mbas sa vitesh”, tha Rama në konferencë për media.

Kryeministri shqiptar gjithashtu foli edhe për Kryeministrin Kurti, për të cilin tha se gëzon respekt, e se e ka mbështetur në gjithë procesin e dialogut, derisa theksoi se do e bëjë një gjë të tillë deri te njohja e ndërsjellë.

“Unë kam respekt për Kryeministrin Kurti, dhe e kam mbështetur në gjithë procesin e dialogut, edhe atëherë kur e sulmonin kur ulej në tavolinë me presidentin e Serbisë. Do ta mbështesë deri te njohja e ndërsjellë”, tha Rama.