Blinken takohet me Xi Jinping, hao vendimtar në përmirësimin e marrëdhënieve SHBA-Kinë

Udhëheqësi kinez, Xi Jinping dhe sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, u takuan në Pekin këtë të hënë, në një hap potencialisht vendimtar drejt përmirësimit të raporteve mes dy vendeve.

 

Blinken është sekretari i parë amerikan i shtetit që udhëton në Kinë në gati pesë vjet. Duke mbërritur dje në Pekin, ai takoi për herë të parë homologun e tij kinez, Qin Gang, me të cilin pati bisedime të sinqerta, thelbësore dhe konstruktive, sipas Departamentit të Shtetit të SHBA-së.

 

Ndërkohë pritet që sekretari amerikan i shtetit dhe udhëheqësi kinez, Xi Jinping, të mbajnë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.

 

Vizita e planifikuar prej kohësh u shty para 5 muajsh, kur një balonë e dyshuar kineze e spiunazhit fluturoi në hapësirën ajrore amerikane. Përveç çështjes së balonës së spiunazhit, ajo çka ka përkeqësuar marrëdhëniet është edhe stërvitja ushtarake e Kinës pranë Tajvanit, me qeverinë e të cilit SHBA mban raporte të ngushta.

 

Paraprakisht të dyja palët janë shprehur se nuk kanë pritshmëri të larta për ndonjë rezultat të madh nga ky takim. Ndërsa zyrtarët kinezë kanë vënë në pikëpyetje nëse SHBA është e sinqertë në përpjekjet e saj për të përmirësuar raportet.