Ministri Sveçla jep detaje: I arrestuari i tretë në veri është Urosh Vukasinoviq, këta kriminelë tashmë do të përballen me drejtësinë


Sveçla: I arrestuari i tretë në veri është Urosh Vukasinoviq, këta kriminelë tashmë do të përballen me drejtësinë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është deklaruar lidhur me arrestimin e fundit të një serbi në veri, i dyshuar për sulmet ndaj gazetarëve.

Ministri ka thënë se i arrestuari është Urosh Vukasinoviq, duke shtuar tutje se këta kriminelë po marrin urdhra për këto sulme nga Beogradi, transmeton Telegrafi.

“Tre ditët e fundit, tre të arrestuar për sulmet brutale dhe kriminale ndaj gazetarëve që raportojnë nga veriu i vendit. I arrestuari i tretë, i radhës, është Urosh Vukasinoviq. Këta kriminelë, të cilët po marrin urdhra për këto sulme nga Beogradi, tashmë do të përballen me drejtësinë. Nuk do të ndalemi, çdo përgjegjës për dhunën dhe aktet kriminale ndaj gazetarëve, do të arrestohet”, është shprehur ai.

Tutje, ai ka shtuar se nuk do të lejojnë askënd të sulmojë qytetarët.

“Republika e Kosovës është vend shembull i funksionimit të demokracisë, dhe nuk do të lejojmë askënd, me asnjë çmim të sulmojë qytetarët, të frikësojë raportimin e gazetarëve dhe cenojë rendin tonë kushtetues”, thotë mes tjerash ai.

Ndryshe, për arrestimin e Urosh Vukasinoviq është deklaruar sot Policia e Kosovës, të cilët njoftuan se arrestimi i tij ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit.

“Sot, në orët e hershme të mëngjesit është arrestuar i dyshuari i radhës mashkull serb U.V., me vendbanim në një fshat të komunës së Leposaviqit, i dyshuar për përfshirje në një rast sulm ndaj mediave/gazetarëve. Arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer si rezultat i hetimeve intensive dhe i sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj mediave/gazetarëve me datë 16 qershor 2023”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Në protestat e dhunshme në veri, serbët sulmuan ekipet e mediave, ku mbetën të lënduar disa gazetarë.

Sulmet ndaj gazetarëve i kanë dënuar institucionet kosovare si dhe ndërkombëtarët./