MPB: Tri pika kufitare Kosovë-Serbi janë të bllokuara


Tri pika kufitare mes Kosovës dhe Serbisë janë të bllokuara aktualisht, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Sipas përditësimit të fundit nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pikat kufitare në Bërnjak, Jarinje dhe Merdarë janë të bllokuara.

Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar më herët se në territorin e Serbisë, në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe në Merdare, për shkak të protestave që po mbahen, nuk është i mundur kalimi i autobusëve dhe kamionëve që vijnë nga Kosova dhe se s’është i sigurt për momentin as kalimi i veturave.

MPJ u ka kërkuar atyre që janë duke udhëtuar drejt Kosovës, që kanë hyrë tashmë në Serbi, që t’i përdorin pikat kufitare ne Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të marrin rrugën përmes Maqedonisë së Veriut (pikë-kalimi kufitar i Preshevës) përmes Shkupit, e ata që ende s’kanë hyrë në Serbi, që të mos udhëtojnë përmes Serbisë.

“Duke marrë parasysh faktin që janë në qarkullim shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës, ju lutemi të ndiqni @Kosovo_Police rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim”, thuhet në njoftim.