Kurti iu përgjigjet kritikëve: Stërvitja e Forcave të Sigurisë aktivitet rutinë, KFOR ishte në dijeni

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka sqaruar zërat që e konsideruar si veprim jo të duhur marshimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës gjatë ditës së sotme.

 

Kurti ka theksuar se në fakt ky është një aktivitet rutinë, për të cilin KFOR është informuar, ndaj nuk është tentativë për destabilitet apo provokim.

 

“Stërvitjet e sotme të Regjimentit të 3-të të FSK-së në Mitrovicën Jugore janë një aktivitet rutinë, i planifikuar çdo vit, për të cilin KFOR-i ishte plotësisht i informuar. Ai përbëhej nga 215 ushtarë që shkonin nga garnizoni “Minatori” në Frashër dhe ktheheshin”, thekson Kurti.

 

Në të njëjtën kohë, Kurti thekson se përpara daljes në konkluzione, kritikët duhet të mos dizinformojnë dhe as dizinformohen.

 

“Dezinformimi është i rrezikshëm dhe i papranueshëm. Bazuar në prova të shumta dhe në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe të drejtat e procesit të rregullt ligjor, policia arrestoi një person në Mitrovicën e veriut për sulmin ndaj ushtarëve të @NATO_KFOR-it në Zveçan më 29 maj”, tha ai.

 

Kurti është distancuar nga arrestimi i shtetasit serbi në veri të Kosovës, duke theksuar që kjo është çështje që i përket instancave të tjera.

 

 “Si kryeministër i një shteti demokratik, nuk kam asnjë përfshirje në hetimet dhe arrestimet. Përhapja e panikut dhe pretendimeve të rreme vetëm ndez tensionet dhe ndihmon ata që kërkojnë t’i përshkallëzojnë ato. Një thirrje për të gjithë: ju lutemi konfirmoni burimet tuaja dhe prisni informacione zyrtare nga institucionet e Kosovës përpara se të vendosni të angazhoheni publikisht në transmetimin e lajmeve ose parashikimin e ngjarjeve”, shkruan Kurti në Twitter.

 

Ndërkohë, shefi i diplomacisë së BE, Josep Borrell e konsideroi të paligjshëm arrestimin e shtetasit serb dhe theksoi se situata po përshkallëzon mes Serbisë e Kosovës.