Ministri rus viziton Ukrainën; Sergei Shoigu shfaqet për herë të pas pas kërcënimit rus

Ministri rus i mbrojtjes, Sergei Shoigu, është shfaqur sot për herë parë pas kryengritjes së armatosur të ushtrisë private të Vagner në Rusi.

 

Pamjet e Shoigu duke vizituar trupat në Ukrainë janë publikuar nga Ministria ruse e Mbrojtjes, ndërsa po aludohet për kohën kur janë regjistruar në të vërtetë ato. Megjithatë, fakti që ministria ruse i publikoi ato xhirime sot është një mesazh i qartë se Shoigu mbetet në detyrë, pavarësisht kërkesës së kreut të Vagner, Prigozhin, për shkarkimin e tij.

 

Kreu i mercenarëve të Vagner anuloi marshimin e tij drejt Moskës, pas një marrëveshje me presidentin bjellorus, Lukashenko.

 

Gjatë të shtunës, Kremlini premtoi se çështja penale kundër Prigozhin nuk do te ngrihej dhe luftëtarët e tij nuk do të përballeshin me asnjë veprim ligjor, por mediat shtetërore ruse raportojnë se akuzat dhe hetimet ndaj tij mbeten të njëjta. Shtetet e Bashkuara dhe BE thanë se rebelimi i armatosur i Prigozhin ka lëkundur Kremlinin, ndërsa mbështetja ndaj Ukrainës mbetet e pandryshuar.

 

JOSEP BORELL

SHEF I DIPLOMACIES EUROPIANE

“Lufta kundër Ukrainës e nisur nga Putini dhe përbindëshi që Putini krijoi me Ëagnerin po e kafshon atë tani. Përbindëshi po vepron kundër krijuesit të tij. Sistemi politik po tregon brishtësinë e tij dhe fuqia ushtarake po plasaritet. Pra, kjo është një pasojë e rëndësishme e luftës në Ukrainë.Sigurisht, nuk është gjë e mirë të shohësh një fuqi bërthamore si Rusia që shkon në një fazë të paqëndrueshmërisë politike”

 

Nga ana tjetër, që pas shfaqjes së të shtunës vonë, Progozhin nuk ka bërë asnjë reagim.

 

Mediat e huaja po ngrenë pikëpyetje të shumta rreth vendndodhjes së tij. Revolta e shkurtër e mercenarëve të Vagner shpërfaqi dobësitë e forcave qeveritare ruse, thonë analistë, ndërsa luftëtarët e grupit ishin në gjendje të lëviznin pa pengesa në qytetin rus Rostov dhe të përparonin qindra kilometra drejt Moskës.