Dokument/ Disha nxjer zbuluar Kasamin: Borxhi i komunës është rritur, ka dështuar dhe gënjyer qytetarët

Këshilltari i Bashkimit Demokratik për Integrim në komunën e Tetovës, Liridon Disha në një prononcim për indeks.mk ka deklaruar se kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami është duke i gënjyer qytetarët kur flet për borxhin komunal sepse sipas tij, borxhi nuk është ulur, ashtu siç pretendojnë autoritetet lokale, por përkundrazi ai është rritur.

Disha thotë se Kasami ndryshe flet para mediave e ndryshe flet zyrtarisht, me dokumente. Sipas Dishës, Kasami dhe kabineti i tij vazhdojnë të arsyetohen dhe viktimizohen për dështimet e tyre, duke u arsyetuar në borxhin që ka komuna. Ai thotë se Kasami tenton të përfitojë pikë nëpërmes viktimizimit, njofton indeks.mk

Përveç borxhit, Disha thotë se Kasami ka dështuar të përmbushë edhe premtimet kryesore elektorale. Shton se ai i gënjeu gjithashtu qytetarët në fushatë me premtimin për parking falas, shton se Kasami duhet të mbajë përgjegjësi edhe për premtimin e heqjes së kaosit në trafik dhe ndërtimin e garazheve në kate.

Për më tepër, Disha thotë se kërkesa e Kasamit për formimin e policisë lokale është e kopjuar nga programi që BDI-ja e ka pasur në zgjedhjet e fundit lokale.

Në raportin e përgatitur nga Komuna e Tetovës për tremujorin e parë të vitit 2023 të dorëzuar në Ministrinë e Financave, figuron që borxhi total i Komunës së Tetovës është 874.868.903 milion denarë.

Ndryshe, çdo institucion shtetërorë, përfshirë këtu edhe komunën e Tetovës është i obliguar ligjërisht që çdo tre muaj të përgatis raport financiar që më pastaj të dorëzojë në Ministrinë e Financave për të parë bilancet financiare.

Disha foli edhe për projektin 3D të qendrës së Tetovës të premtuar nga Kasami. Potencoi se grupi i këshilltarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim pavarësisht dallimeve është i gatshëm të mbështesë me vota çdo iniciativë të Kasamit që është në të mirë të qytetarëve të Tetovës./indeks.mk/