Ljubço Georgievski: Maqedonia do të ishte më mirë pa shqiptarët

Georgievski ishte lideri i parë i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministër në periudhën nga viti 1998 deri në vitin 2002, por pas disfatës zgjedhore u tërhoq nga pozita udhëheqëse, dhe pas ndarjes brendapartiake formoi VMRO Polullore, e cila sot është integrale dhe pjesë e koalicionit qeverisës të udhëhequr nga LSDM.

Në një mega-intervistë për “Fokus”, ai flet për pozicionin e tij në qeveri dhe ish-partinë e tij, komenton situatën në drejtësi, i referohet integrimeve evropiane dhe ndryshimeve kushtetuese, si dhe shpreh mendimin e tij për marrëdhëniet bullgaro-maqedonase si dhe mbi rrënjën dhe natyrën e problemeve të ndërsjella.

Sipas tij, Maqedonia duhet ta korrigjojë vetë historinë e falsifikuar, por thotë se edhe Bullgaria duhet ta përditësojë historiografinë e saj, sepse, siç thekson, koncepti dhe krijimi kryesor i kombit maqedonas në kuptimin e sotëm është Partia Komuniste Bullgare.

Ai flet edhe për konceptin e ndarjes së Maqedonisë njëzet vjet më parë, pra, siç thotë ai, për idenë e shkëmbimit të territoreve dhe popullsisë, duke zbuluar detaje se kush ishte i përfshirë në proces.

Maqedonia do të ishte një vend më i mirë, nëse në vitin 2001 do të kishte kaluar ideja e shkëmbimit të territoreve dhe popullsisë, ka theksuar mes tjerash Georgievski.