Rrëzohet qeveria në Holandë/ Partitë e koalicionit ndahen në qëndrimet për imigracionin

Qeveria holandeze u rrëzua të premten pasi anëtarët e koalicionit në pushtet nuk arritën një marrëveshje për kufizimin e imigracionit.

 

Kriza u shkaktua nga një propozim i partisë konservatore, të kryeministrit Mark Rutte për të kufizuar fluksin e azilkërkuesve në Holandë, qw nuk u mbështet nga dy parti të koalicionit qeveritar katërpartiak.

 

MARK RUTTE

 

ISH- KRYEMINISTER I HOLANDËS

 

“Nuk është sekret që partnerët e koalicionit kanë mendime të ndryshme rreth politikave të imigracionit. Sot, për fat të keq, kemi arritur në përfundimin se këto mosmarrëveshje janë bërë të pakapërcyeshme. Prandaj, unë do t’ia paraqes mbretit dorëheqjen e të gjithë kabinetit”

 

Tensionet arritën kulmin këtë javë, kur Kryeministri Rutte kërkoi mbështetje për një propozim për të kufizuar hyrjen e fëmijëve të refugjatëve të luftës që janë tashmë në Holandë dhe për t’i detyruar familjet të presin të paktën dy vjet përpara se të bashkohen.

 

Koalicioni i Kryeministrit Rutte do të qëndrojë në pushtet si qeveri e përkohshme derisa të formohet një administratë e re pas zgjedhjeve të reja që pritet të mbahen në vjeshtë. Një qeveri e përkohshme nuk mund të vendosë për politika të reja, por Rutte tha se kjo nuk do të ndikojë në mbështetjen e vendit për Ukrainën.

 

Holanda tashmë ka një nga politikat më të ashpra të emigracionit në Evropë, por nën presionin e partive të krahut të djathtë, Rutte prej muajsh po përpiqej të kërkonte mënyra për të reduktuar më tej fluksin e azilkërkuesve.

 

Kërkesat për azil në Holandë u rritën vitin e kaluar dhe qeveria ka parashikuar se ato mund të rriten edhe më shumë këtë vit, duke arritur nivelin më të lartë, që nga 2015.

 

Kryeministri Rutte, 56 vjeç, është udhëheqësi më jetëgjatë i qeverisë në historinë e Holandës.