(Editorial i portalit indeks.mk)
Gjithandej kryeqytetit këto ditë është grumbulluar bërlloku i pambledhur si rezultat i pakënaqësisë së punëtorëve të Higjienës Komunale për shkak të largimit nga puna të një numri punëtorësh dhe të kërkesave për status më të mirë dhe gëzimin e disa beneficioneve si të gjithë të punësuarit e tjerë në sektorin publik.
Në shikim të parë, s’ka asgjë të parëndomtë, edhe një pakënaqësi sociale, do të kishim thënë. Në aspektin e përgjegjësisë, gishti përveçse ndaj drejtoreshës Maznova, duhet drejtuar edhe ndaj kryetares së Shkupit, Danella Arsovska. Mirëpo, pikërisht Arsovska, të dielën mbrëma ka drejtuar gishtin nga VMRO-DPMNE-ja, që sipas saj ka orkestruar tërë situatën që në mënyrë mafioze të bllokojë punën e Higjienës Komunale! Ajo, duke mos zgjedhur as fjalorin e pashembullt dhe intoniminm dramatike, do të thotë: “Sepse janë të paarsyeshëm, për pikë politike të ulëta, duan të krijojnë probleme për qytetarët, ku më pas duan të paraqiten sikur i zgjidhin dhe i pastrojnë. Politikanë të tillë janë mbeturina më e madhe të cilët i ka parë ky qytet dhe ne sonte do të fillojmë të pastrojmë mbeturinat, t’i pastrojmë ata”.
Duke mos hyrë në shumëkuptimësinë e fjalëve të përdorura nëse janë për komunikim publik, duhet thënë se aty ku e la Arsovska, ka shumëçka për të shtuar, e që flet për manirin e VMRO-së së bëri politikë.
Duke e përcjellë opozitarizmin e kësaj partie shumëkush mund të bie në lajthitje rreth kauzave të saj. Në njërën anë, duket sikur ajo është mbrojtësja më e madhe e interesave nacionale, sepse ato s’i shkepë për asnjë çast nga goja e përfaqësuesve të saj. Dhe e dyta, me akuzat për shumëçka që kanë të bëjnë me keqëpdërimin e pushtetit për përfitime, del sikur ajo është partia më e pastër për këto çështje. Dhe e treta, me akuzat për politikat qeveritare në fushën e ekonomisë, le të kuptohet se po të vinte VMRO-ja, ajo do të dijë t’i zgjidhë të gjitha problemet e kësaj natyre. Sepse, iluzioni që krijon para publikut, është se ajo di të udhëheqë më mirë se partitë aktuale në pushtet.
Por, pikërisht kjo që po ndodh me bërllokun e kryeqytetit dhe konflikti i nisur më herët Mickoski-Arsovska, shpërfaqin gjithë imazhin e shëmtuar të partisë e cila nga pushteti zbriti po për të njëjtat arsye që i sheh te të tjerët, për më keq, se po jep dita ditës gjithnjë e më shumë argumente se s’e ka ndërmend të transformohet, sepse ajo funksionon vetëm duke i rënë të njëjtit tel, gjithë jetën!
Bërlloku duhet të jetë një problem i përgjithshëm, por në “duart” e VMRO-së ai është vetëm edhe një fushë ku gjen arsyet politike për të mbrojtur interesat nacionale maqedonase! Ajme! Edhe këtu? Pikërisht. Nëse merret fakti se në Higjienën Komunale, përveç se janë koncentruar persona me kualifikim të ulët, të njëjtin me përkatësi etnike dominuese janë shqiptare, drejtoresha e VMRO-së, shumë qartë zbaton një politikë animoziteti edhe këtu ku duhet para së gjithash të shihet aspekti social, e jo etnik, edhe pse ata janë ata që ia mbajnë qytetin pastër! Kemi të drejtë të pyesim publikisht nëse pikërisht përkatësia etnike është arsyeja e largimit nga puna?! Mos vallë në këtë parti, nuk mund ta kapërdijnë ende faktin se falë zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, është rritur numri i shqiptarëve ne sektorin publik, ndaj dhe kërkojnë mënyra se si me lloj-lloj pretekstesh të ulin atë përfaqësim “adekuat”!
Pra, edhe bërllokut, nëse ka nevojë, do t’i jepet ngjyrë etnike!?
Nuk e dimë si do të përfundojë “konflikti” i drejtoreshës Kosana Maznova në planin e menaxhimit të kësaj situate me punëtorët e pakënaqur, por duket se me ultimatumin dhënë punëtorëve për kërkesat e tyre sociale e statusore, por dhe me largimin e një numri të tyre paraprakisht, vepron pikërisht në suaza të frymës politike të VMRO-së, asaj të animozitetit etnik.
Në planin e “kauzave” tjera që u përmendën më sipër, mjafton të kujtojmë gjithë atë që është thënë si akuzë në relacionin Mickoski- Danella Arsovska, ku shkaku kryesor i prishjes së idilit koalicionist nuk ishin principet, po pikërisht synimi i VMRO-së për të kontrolluar milionat që qarkullojnë përmes buxhetit të Shkupit. Zhveshje më të fortë të demagogjisë, VMRO-ja nuk ka mundur të përjetojë se kjo!