Mesazhi i Klintonit për Kosovën dhe Palestinën

Shkruan: Daut Dauti

(…) Rama erdhi në Prishtinë dhe Kurti s’ia çeli derën dhe e shfrytëzoi rastin t’ia përcjellë një mesazh të Bill Klintonit. Pasi s’mundi drejtpërdrejt, në katër sy, përmes intervistës për Klan Kosovën tregoi se çfarë i ka thënë Bill Klintoni për një marrëveshje Arafat-Barak për çështjen e Palestinës. Më saktë, me zhgënjimin që kishte përjetuar kur Jaser Arafati ishte tërhequr në mënyrë të pashpejgueshme prej asaj marrëveshje të dakorduar. E kishte pyetur përse e ka bërë këtë, por lideri palestinez, ndonëse kishte thënë se marrëveshja është e mirë, nuk mund t’ia tregojë arsyet pse nuk mund ta realizojë. Kjo, në kohën kur kundër kësaj marrëveshjeje, mospjatimet më të mëdha kishin qenë në Izrael! Klintoni i kishte thënë Ramës se aso marrëveshje të mirë palestinezët kurrë nuk kishin pas dhe çdo marrëveshje e mëvonshme, kishe qenë më e keqe për ta! Dhe sot, ja ku janë… Të njëjtën gjë e kishte thënë edhe për planin franko-gjerman për Kosovën, moszbatimi i së cilës tash, do të thotë zgjidhje më të keqe nesër.

Ngjashëm me këtë që e ka thënë Klintoni, ka kohë që më është ndryshkur maja e lapsit duke përsëritur të njëjtën gjë, se me moszbatimin me kohë të Marrëveshjes së vitit 2015 për asociacionin e komunave serbe, për çka obstruksionet më të mëdha i ka bërë pikërisht Albin Kurti, tash po i vjen si fakturë me kamatë vetë Albin Kurtit. Por çmimi politik për të nuk është aq i rëndësishëm, sa janë pasojat për Kosovën.

Kurse Kurti, dhe njerëzit rreth tij, ka vite që i kanë menduar se do të vijë një kohë më e mirë! Për fat të keq, edhe kur kjo bëhet me qëllim të mirë, efekti është i kundërt, siç po e shohim tash. Kur u krijua Izraeli në territor të Palestinës, gjithë vendet arabe u çuan kundër! Sa do të donin sot vetë palestinezët ta kenë atë territor?! Por s’e kanë, sepse refuzuan dhe mbetën pa të, duke e rrudhur gjithnjë e më shumë nga ekstremizmi në radhët e tyre që e ushqente ekspansionizmin preventiv izraelit.

(Fragment nga kolumna “A edhe ti, miku Bill?”, në gazetën Koha. Kolumna e plotë: https://www.koha.mk/a-edhe-ti-miku-bill/)