Biden: Putin nuk mund ta mbizotërojë Ukrainën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se presidenti rus, Vladimir Putin, “beson gabimisht” se mund ta mbizotërojë Ukrainën.

 

“Një shtet nuk mund të lejohet ta kapë territorin e fqinjit të tij me forcë”, tha Biden, duke shtuar se Rusia mund t’i japë fund luftës së saj në Ukrainë që nesër.

 

Presidenti amerikan mbajti një fjalim pas samitit të NATO-s, në oborrin e Universitetit të Vilniusit. Duke folur para një turme të madhe njerëzish, ai tha se populli i Ukrainës “mbetet i pathyeshëm”.

 

“Kur Putini dhe epshi i tij për territor dhe pushtet nisën luftën në Ukrainë, ai po llogariste në përçarjen e NATO-s. Ai e kishte gabim. Të përballur me një kërcënim për paqen dhe stabilitetin në botë, ne bëmë atë që bëjmë gjithmonë – SHBA-ja u ngrit dhe e gjithë bota u ngrit. Ne ishim gati sepse ishim së bashku”, tha Biden.

 

“Ne nuk do të lëkundemi në mbështetjen tonë për Ukrainën”, shtoi ai.

 

Në margjina të samitit të NATO-s, Biden u takua veç e veç me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

 

Udhëheqësit e 31 vendeve anëtare të NATO-s thanë se do ta ftojnë Ukrainën të anëtarësohet në këtë organizatë “kur të bien dakord” dhe “kur të plotësohen kushtet”.

Pritjet e Ukrainës ishin që të merrte një konfirmim nga aleanca se do të bëhet anëtare, pasi të përfundojë lufta.

 

Duke folur në një konferencë për media në Vilnius, Zelensky tha se Ukraina nuk do të shkëmbejë kurrë asnjë nga territoret e saj me Rusinë, “edhe nëse bëhet fjalë për një fshat me një popullsi prej një banori të moshuar”.

 

Ai tha se është i sigurt se aleatët e Ukrainës nuk do ta tradhtojnë me një kusht të tillë, për t’iu bashkuar NATO-s.

 

Ai shtoi se samiti i NATO-s e ka sjellë fitoren e Ukrainës më afër.

Zelensky tha se i mirëpret premtimet për më shumë sisteme armësh nga partnerët e Kievit.

 

“Fuqia e armës gjithmonë e sjell fitoren më afër në fushëbetejë”, tha Zelensky.

 

Grupi i vendeve më të industrializuara, i njohur si G7, lëshoi një deklaratë të përbashkët në Vilnius, me të cilën u zotua se do të ofrojë garanci sigurie për Ukrainën.

 

G7 konfirmoi se secili prej vendeve të këtij grupi do të punojë me Kievin për marrëveshje specifike të sigurisë.

Qëllimi, sipas G7-ës, është të sigurohen pajisje moderne për vendin në luftë, në të gjitha fushat: tokësore, ajrore dhe detare, por duke i dhënë përparësi mbrojtjes ajrore dhe artilerisë.

Presidenti ukrainas i falënderoi udhëheqësit e G7-ës dhe anëtarët e NATO-s për “garancitë e sigurisë për Ukrainën”.

 

Zelensky përmendi marrëveshjet “dypalëshe dhe shumëpalëshe”, duke lënë të kuptohet se shtetet kanë marrë edhe angazhime individuale të sigurisë ndaj Kievit.

Paketa e sigurisë e G7-ës përfshin edhe trajnime dhe bashkëpunim në mbrojtjen kibernetike./REL/