Osmani: Dënojmë zjarrvënien ndaj veturës së Artan Grubit, fajtorët do të dalin para drejtësisë

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani ka reaguar pas tentim sulmit me zjarrvënie të veturës ndaj zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubi.

Osmani e ka quajtur këtë veprim neveritës, me të cilin duhet të merren organet përkatëse deri në zbarthjen e plotë të rastit.

Statusi i plotë:

Jam i indinjuar me lajmin e aktit të neveritshëm –djegien e automjetit të zv.kryeministrit Grubi.

Ky akt i urryer dhune nuk është vetëm një sulm ndaj një kolegu të respektuar, por një fyerje ndaj vlerave tona demokratike dhe strukturës së shoqërisë sonë.

E them këtë, jo vetëm si ministër, por si qytetar i shqetësuar, për të dënuar ashpër këtë akt zjarrvënieje. Dhuna nuk ka vend në një shoqëri të civilizuar dhe veprime të tilla nuk mund të justifikohen kurrë. I bëj thirrje autoriteteve të kryejnë një hetim të plotë për të zbardhur të vërtetën që qëndron pas këtij incidenti dhe për të sjellë menjëherë përgjegjësit para drejtësisë. Duhet të ketë përgjegjësi për veprime të tilla që kërcënojnë sigurinë dhe integritetin e institucioneve tona demokratike. Ne jemi një shoqëri e ndërtuar mbi parimet e paqes, tolerancës dhe respektit për njëri-tjetrin. Forca jonë qëndron në unitetin tonë dhe së bashku, ne mund të kapërcejmë çdo sfidë që na del përpara.