Banorët e Tetovës në hall, Bilall Kasami nuk zgjidh problemin me deponinë, fillojnë me peticioni kundër tij

Gjatë ditëve në vijim banorët që jetojnë afër stacionit për ngarkim –shkarkim në Tetovë, pritet që përmes një peticioni t’i adresohen komunës së Tetovës, për largimin e këtij stacioni për grumbullimin e mbeturinave. Sipas banorëve, ky stacion tashmë është bërë problem serioz për jetesë, shkaku i dëmtimit të pronave por edhe erës së rëndë që kundërmon gjithandej. Problem në vete sipas banorëve janë edhe qentë endacak që gjithnjë e më shumë vërehen në këtë pjesë të Tetovës. Kjo pikë për ngarkim dhe shkarkim të mbeturinave është vendosur në vitin 2019 dhe prej atëherë shfrytëzohet nga Ndërmarrja Publike Komunale në Tetovë prej nga merren mbeturinat drejt deponisë Rusino në Gostivar. Por, kësaj radhe është shtuar dukshëm sasia e mbeturinave prandaj edhe kërkohet që e njëjta të dislokohet.

Banorët që jetojnë afër, por edhe pronarët e tokave bujqësore përmes grumbullimit të nënshkrimeve do t`i adresojnë problemin komunës së Tetovës dhe institucioneve tjera relevante duke sqaruar edhe për dëmet që sjellë kjo deponi në afërsi të tyre. Sipas banorëve, si pasojë e mbeturinave tashmë është dëmtuar edhe toka që në të kaluarën e kanë shfrytëzuar për të mbjellur prodhime bujqësore dhe tash ka mbetur e pashfrytëzuar sepse është helmuar edhe toka. “Ky vend do të duhej të përdorej si vend për shkarkim dhe ngarkim të mbeturinave por jo vend ku do të grumbullohej sasi e madhe e mbeturinave dhe të merrte formën e një deponie të egër”, shprehen banorët.

Por, jo gjithherë ndërmarrja publike komunale arrin që të transporton krejt mbeturinat që janë grumbulluar. Kjo, ka bërë që edhe të ketë probleme tek banorët dhe bujqit që jetojnë afër. Kësisoj, banorët që jetojnë afër stacionit për ngarkim –shkarkimit të mbeturinave në Tetovë, janë ankuar se që katër vite jetojnë me erën e rëndë që kundërmon dhe me prona që tashmë nuk mund të punohen. “As nuk mund të mbjellim as të korrim”, thonë pronarët e pronave bujqësore që ndodhen në afërsi të stacionit për ngarkim –shkarkimit të mbeturinave. Banorët theksojnë se shtatë kamionë me mbeturina sillen dhe një del prej aty. Sipas banorëve, që nga qershori i vitit 2019 e këndej, kur edhe është vendosur ky stacion për ngarkim shkarkim në këtë zonë, nuk mund të shfrytëzojnë pronat e tyre. Këta banorë kanë dalur për të protestuar dhe kërkojnë dislokimin e së njëjtës.

Në këtë stacion për ngarkim dhe shkarkim të mbeturinave brenda ditës sillet sasi e madhe e mbeturinave që grumbullohet në qytet. Rritja e sasisë së mbeturinave është edhe për shkak të ardhjes së mërgimtarëve në vendlindje kur dyfishohet sasia e mbeturinave. Në këtë drejtim shfaqen probleme dhe vonesa edhe në brendi të qytetit gjatë grumbullimit të mbeturinave, të cilët ndërmarrja nuk arrin që ti marrë në kohë. Nga Ndërmarrja Publike Komunale në Tetovë thonë se zgjidhja e këtij problemi shihet tek ndarja e ndërmarrjes dhe formimi i ndërmarrjes “Oeneum” e cila do të merret me trajtimin e mbeturinave. “Qytetarët duhet që të kenë mirëkuptim derisa të gjendet zgjidhje. Presim që deri në fund të vitit të bëhet dislokimi i kësaj deponie”, thonë nga Ndërmarrja Publike Komunale në Tetovë.