ASH mbështet fuqishëm Manifestin për zhvillim e negociatave për anëtarësim të plotë në BE

Мanifest për zhvillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Duke potencuar se integrimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian paraqet qëllim strategjik për vendin, Aleanca për Shqiptarët (ASh) mbështet fuqishëm Manifestin për zhvillim e negociatave për anëtarësim të plotë në BE.

Mbështetja e ASh-së vjen si rezultat i promovimit të fuqishëm të integrimeve në BE, si parti e cila në shumë momente të rëndësishme, duke qenë edhe në opozitë ka mbështetur të gjitha vendimet dhe proceset që lidhen me integrimin e vendit në BE. Ndaj, ASh beson se është koha që të bashkohen të gjithë partitë politike, subjektet apolitike dhe organizatat joqeveritare përmes këtij hapi të rëndësishëm të nënshkrimit të Manifestit të përbashkët, me të cilin të gjithë së bashku do të obligohemi për zhvillim efikas dhe cilësor të negociatave për anëtarësim në BE.

Manifesti reflekton vlerat e pranuara të përbashkëta evropiane që dalin nga kriteret e Kopenhagës, Procesi i Stabilizim-Asociimit, konkluzionet e miratuara të Këshillit të BE-së dhe propozim Korniza negociatore nga presidenca franceze, të gjitha këto me qëllim të përfundimit sa më cilësor të procesit të negociatave dhe hyrjes më të shpejtë në BE.

Ndaj, me këtë manifest paraqesim një numër argumentesh që janë me rëndësi jetike për mbarë shoqërinë, dhe përmes të cilave zotohemi se do t’i përfundojmë negociatat për anëtarësim në një kohë sa më të shkurtër, njëherit duke mbrojtur identitetin, traditën, gjuhën dhe vlerat shoqërore të qytetarëve dhe bashkësive në vend.

Me propozim Manifestin, deklarojmë se do të angazhohemi për realizimin e të gjitha detyrimeve që dalin nga kriteret politike për anëtarësim në BE, mes tjerash edhe lidhur me avancimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, të drejtat e komuniteteve, por edhe harmonizimin e legjislacionit nacional me legjislacionin e BE-së, me fokus në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e institucioneve demokratike.

Për këtë, siç thuhet në Manifest, partitë politike në Kuvend, pavarësisht nga përbërja e shumicës qeverisëse, obligohen të bashkëpunojnë, por edhe ta zhvillojnë procesin e negociatave në mënyrë krejtësisht të hapur dhe transparente me qëllim që publiku më i gjerë të ketë mundësi ta shpreh mendimin e tij lidhur me kushtet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Theksojmë edhe rëndësinë e një roli aktiv të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit në BE. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të vendosin për anëtarësim në BE përmes një referendumi që do të mbahet para nënshkrimit të Marrëveshjes për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, gjegjësisht pas përfundimit të negociatave”, thuhet në Manifest.

Manifesti gjithashtu e obligon Qeverinë që në mënyrë konzistente t’i përmbahet përcaktimit për respektimin e pakushtëzuar të veçorive të gjuhës, identitetiteteve, historike dhe kulturore të komuniteteve, si elemente të panegociueshme me Bashkimin Evropian, duke theksuar se Qeveria nuk do të pranojë të diskutojë për zgjidhje tjetër për gjuhën maqedonase përveç asaj që është përcaktuar në Kornizën negociuese.

Në fund, në deklaratën e liderëve të partive politike , ata konstatojnë se Kuvendi duhet të miratojë amendamentet kushtetuese për mbajtjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të Konferencës së dytë Ndërqeveritare për përfundimin e fazës hapëse të negociatave, pa vendime shtesë nga shtetet anëtare, ndërsa Qeveria dhe të gjitha autoritetet kompetente për politikë të jashtme të veprojnë në kuadër të qëndrimeve të përcaktuara në Manifest.

Manifesti është iniciativë e këtyre subjekteve dhe mbetet i hapur për mbështetje të gjërë shoqërore.
Aleanca për Shqiptarët (ASh)
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI)
Lidhja Social demokrate e Maqedonisë (LSDM)
Partia e re social-demokrate (NSDP)
Partia Liberale (PL)
Partia Demokratike Shqiptare (PDSH)
Partia Lëvizja e Turqve (THP)
Partia Demokratike e Turqve në Maqedoni (TDP)
Rindërtimi Demokratik I Maqedonisë (DOM)
VMRO-Partia Popullore ( VMRO-NP)
Partia e Pensionistëve
Partia e Serbeve