Fluks i madh lëvizjesh në Kapshticë, mijëra shqiptarë kthehen për pushime

Rritet në maksimum numri i hyrjeve nga Greqia në drejtim të Shqipërisë. Burime zyrtare bëjnë me dije se gjatë 24 orëve të fundit nga kjo pikë kufitare, nga vendi fqinj në drejtim të vendit tonë kanë hyrë me shume se 6100 shtetas, duke regjistruar kështu numrin më të lartë të hyrjeve që nga fillimi i sezonit turistik.

Nga ana tjetër, gjatë këtyre orëve nga Shqipëria në drejtim të shtetit helen kanë dalë afro 3600 persona.

Për të përballuar fluksin në hyrje pala shqiptare ka shtuar numrin e sporteleve duke punuar me 4 sportele gjatë 24 orëve ndërkohë në dalje punohet me 3 të tillë.

Nga ana tjetër, për të evituar radhët e gjata mësohet se autoritetet tona të kufirit kanë punuar me procedurë të përshpejtuar, gjë të cilën mësohet se e kanë bërë edhe grekët në momentet e fluksit të madh.

Gjatë 24 orëve të fundit është vërejtur një fare rënie hyrje daljesh nga pika e kalimit kufitar të Qafë Thanës. Në qoftë se pak ditë më parë ka patur nga 5500-6800 hyrje, orët e fundit nga kjo pikë kufitare që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut kanë hyrë afro 4500 shtetas e kanë dalë afro 3400 persona.

Edhe gjatë ditës së sotme burime zyrtare thanë se hyrjet kanë qenë të nivelit të lartë por për asnjë moment nuk janë regjistruar radhë të gjata në Kapshticë dhe Qafë Thanë.