Lyrical Son ishte njëri nga këngëtarët që ndezi atmosferën e Peace Festivalit në Shkup. Gjersa këndonte, publiku i mbante iso, si dëshmi për popullaritetin që tashmë kanë këngët e tij. Indeks.mk i mori pak kohë për këtë intervistë që ai e pranoi me kënaqësi, për të na folur pak për karrierën, planet…
-Cilin mund ta konsideroni si momentin ose me kulminant ose më të arrirë gjatë karrierës tënde?
-Mendoj se secili moment, secili koncert apo eveniment, secili çmim i arrirë, secili sukses përmes krijimeve artistike, të cikat jam munduar t’i bëj, është moment kulminant, prandaj s’mund të veçoj asnjërin.
-Cilat janë përshtypjet tuaja për Peace Festivalin në Shkup?
-(Përgjigja para daljes në skenë)Besoj do të kënaqemi meqë edhe line up ishte shumë i mirë, mezi po pres që t’ju këndoj shqiptarëve të Shkupit, sepse ka kohë të gjatë që s’kemi kënduar në Shkup, e di që është një dashuri shumë e madhe për ne këtu, edhe unë veproj sipas ligjit të tretë të Njutonit aksioni për reaksionin!
-Na trego ndonjë nga momentet tuaja më të bukura që keni pasur me fansat?
-Ka shumë momente të veçanta e sidomos kur takohesh me një fans apo dashamirës që t’ka ndjekë prej fillimit edhe ta tregon një foto nga viti 2003 apo 2004 para 20 viteve dhe është ndjesi shumë e mirë. Pranojmë edhe dhurata shumë shpesh, ka fansa që vijnë me ndonjë bluzë, patika(atlete), mirëpo këto fotot që janë bërë para një kohe shumë të gjatë dhe i ripërtërijnë është shumë interesante.
-Cili është reperi më i mirë sipas jush, pa e përfshirë në këtë listë Kreshën?
-Përpos Kreshës, unë e kam një listë shumë të gjatë që nuk mund të them cili është më i mirë se tjetri, prandaj po them me të gjithë ata që po bashkëpunoj unë, janë reperat më të mirë.
-Përshkruani me disa fjalë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut?
-Njerëz të mirë, patriotë, mikpritës dhe mendoj se s’kemi ndonjë ndryshim përveç këtij kufiri që na ndan, sepse jemi gjithkund njësoj.
-A është “Semafori” kënga jote më e suksesshme, si ndiheni kur publiku e këndon atë bashkë me ju?
-Ndjenja kur publiku e këndon “Semaforin” është ndjenjë shumë e mirë, ndjenjë madhështore, mirëpo si këngë unë nuk mundem të veçoj asnjërën, sepse secila këngë e ka vendin e vet.