Vritet një grua izraelite në një sulm në Bregun Perëndimor

Një grua izraelite u vra dhe një burrë tjetër u plagos në një sulm të raportuar më 21 gusht në qytetin e pushtuar Hebron në Bregun Perëndimor, thanë mjekët dhe ushtria.

 

Incidenti vjen dy ditë pasi një baba dhe bir izraelit u vranë në një autolarje në qytetin Huwara, gjithashtu në Bregun Perëndimor, në një kohë kur janë shtuar incidentet e dhunshme në këto zona.

 

Shërbimi i urgjencës Magen David Adom tha në një deklaratë se një grua u “konfirmua e vdekur” pasi u godit me armë zjarri, ndërsa shtoi se burri që udhëtonte me të ishte në një “gjendje të rëndë”.

Ushtria, duke konfirmuar vdekjen e gruas 40-vjeçare, tha se dy civilët u sulmuan me të shtëna që vinin nga një automjet.

 

“Sulmi me të shtëna u krye nga një automjet që kalonte në rrugën ngjitur me qytetin e Hebronit drejt civilëve që po lëviznin në zonë”, tha në një deklaratë, duke shtuar se trupat po ndiqnin sulmuesit.

 

Ushtria dislokoi trupa në vendin e sulmit dhe bllokoi hyrjen në vendin e ngjarjes menjëherë pas incidentit, raportoi një korrespondent i AFP-së.

 

Dhuna në rritje

 

Në Bregun e pushtuar Perëndimor janë regjistruar disa incidente të dhunshme që nga fillimi i vitit të kaluar, si sulmet nga palestinezët ndaj caqeve izraelite, bastisjet e përsëritura të ushtrisë izraelite dhe dhunës nga kolonët hebrenj ndaj komuniteteve palestineze.

Të shtënat ndaj një babai dhe djalit në Huëara shkaktuan një aksion masiv në Bregun Perëndimor, përderisa forcat izraelite kërkonin sulmuesin e dyshuar.

 

Në Huëara, një qytet palestinez pranë Nablusit, janë kryer një numër sulmesh ndaj kolonëve hebrenj ose ushtrisë izraelite që nga fillimi i vitit të kaluar.

 

Kolonët janë përgjigjur gjithashtu me sulme hakmarrëse në qytet dhe në fshatrat përreth.

Grupi militant palestinez Hamas, i cili kontrollon Rripin e Gazës, tha se sulmi i së hënës pranë Hebronit ishte një “përgjigje e natyrshme” ndaj projekteve të vendbanimeve në Jerusalem dhe Bregun Perëndimor.

 

Të paktën 218 palestinezë janë vrarë shkaku i dhunës së lidhur me konfliktin izraelito-palestinez deri më tani këtë vit.

 

Rreth 31 izraelitë, një ukrainas dhe një italian janë vrarë gjithashtu, sipas një raporti të AFP-së të përpiluar nga burime zyrtare nga të dyja palët./REL/