Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u zotua se do të fillojë një nismë të re diplomatike për t’i bërë presion Azerbajxhanit lidhur me bllokadën që ka shkaktuar në rajonin e Nagorno-Karabakut, ku banojnë armenët etnikë.
Bllokada në rrugën e vetme që lidh këtë rajon të shkëputur me Armeninë ka rritur frikën për një krizë humanitare.
Pa dhënë detaje për këtë nismë diplomatike, ai tha gjatë një konference me ambasadorët francezë se do të zhvillojë bisedime me kryeministrin armen, Nikol Pashinyan, dhe presidentin azerbajxhanas, Ilham Aliyev, në ditët në vijim.
“Ne do të kërkojmë respektim të plotë të korridorit humanitar të Laçinit dhe ne do të nisim një iniciativë të re ndërkombëtare për të rritur presionin për këtë çështje”, tha Macron.
Armenia i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të mbajë një takim krize për Nagorno-Karabakun, duke përmendur si arsye përkeqësimin e situatës humanitare dhe duke fajësuar Azerbajxhanin për bllokimin e furnizimeve në rajonin e kontestuar.
Këto dy shtete fqinje në Kaukaz kanë mosmarrëveshje të kamotshme për Nagorno-Karabakun, rajon që ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Azerbajxhanit. Mosmarrëveshjet kanë nisur në vitet ’80 dhe që atëherë të dy shtetet kanë zhvilluar dy luftëra.
Në luftën e dytë, më 2020, forcat armene humbën dhe Azerbajxhani fitoi territor të konsiderueshëm.
Për muaj të tërë, Jerevani e ka akuzuar Bakun se ka ndalur qarkullimin në korridorin Laçin – një rrugë e shkurtër malore që lidh Armeninë me Nagorno Karabakun, të banuar me armenë etnikë edhe pas konfliktit të fundit.
Përfaqësuesi i Armenisë në OKB, Mher Margaryan, më herët gjatë këtij muaji paralajmëroi se banorët e Nagorno-Karabakut janë në prag “të një katastrofe humanitare” për shkak të mungesës së furnizimeve me ushqime, ilaçe dhe energji./rel