Takimin e fundit të ditës së hënë në Bled, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e zhvilloi me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE, Michael Carpenter.
Në këtë takim u diskutua mbi çështjet aktuale në vend dhe për procesin e dialogut, përkatësisht zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Edhe në takimin me ambasadorin Carpenter i pari i qeverisë kosovare theksoi se kanë kaluar më shumë se dy muaj pa incidente dhe protesta të dhunshme në katër komunat në veri, dhe vuri në pah uljen e prezencës së Policisë së Kosovës në dhe përreth ndërtesave të komunave përkitazi me situatën në teren. Deeskalimi tashmë ka ndodhur, tha Kurti, teksa shtoi se rieskalimi potencial duhet të parandalohet.