Analistët hedhin dyshime, masat e BE-së ndaj Kosovës mund të jenë kushtëzim edhe për formimin e Asociacionit

Para më shumë se dy muajsh Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Republikës së Kosovës, për shkak të situatës në veri të vendit. Këto masa, nga BE-ja ishin konsideruar si përgjigje ndaj Qeverisë për mosveprim në shtensionimin e gjendjes në atë pjesë të Republikës.

Megjithatë, edhe tani kur Kosova i ka plotësuar pothuajse të gjitha kërkesat e BE-së për këtë çështje, masat ndëshkues vazhdojnë të jenë në fuqi.

E nën këto masa, kryeministri i Republikës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen në Bruksel më 14 shtator.

Rifillimi i këtij procesi në këtë situatë për Kosovën, sipas politilogut Dorajet Imeri, është i pakuptimtë.

Madje, Imeri thotë se masat mund të jenë kushtëzim i BE-së për Kosovën në themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Kjo është beteja. Vetë fakti që e ka marrë Kosova sanksione ka qenë për faktin se vendosja e kryetarëve të komunave atje dhe tensionimi i situatës më vonë pavarësisht që ka ardhur nga Serbia, është pa nga BE-ja si një përpjekje për të shmangur obligimet ndërkombëtare të Kosovës, gjithmonë duke e ditur që nuk mund të ketë vijim të procesit në atë pjesë me kryetarët aktual”, tha Imeri për RTK-në.

Për analistin Dritëro Arifi, procesi i dialogut ndërmjet dy vendeve do të jetë e vetmja rrugë.

Ai thotë se palët duhet ta zbatojnë marrëveshjen e Ohrit, për të cilën kanë rënë në ujdi.

“Dialogu duhet të vazhdojë sepse s’ka alternative tjetër, por të dyja palët janë zotuar për ta zbatuar dhe implementuar Marrëveshjen e Ohrit ashtu siç janë dakorduar në fillim të këtij viti”, tha Arifi.

Ndërkohë, Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, ka deklaruar se takimi i radhës në dialogun e Brukselit, i paralajmëruar të mbahet më 14 shtator, do të zhvillohet për zbatim të Marrëveshjes dhe të Aneksit.