“Pafajësi deri në frymën e fundit”/ Lefter Koka akuzon Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin: Më morën lirinë në mënyrë brutale

“Deri në frymën e fundit, nuk do të resht, së kërkuari pafajsinë time”. Me këto fjalë e filloi mbrojtjen ish-Ministri i Mjedisit, Lefter Koka në Gjykatën e Posaçme. Ai akuzoi ish- Presidentin Ilir Meta dhe ish- kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi si përgjegjës për marrjen peng të lirisë së tij.

 

LEFTER KOKA


ISH-MINISTER I MJEDISIT

 

Do ngushëllohesha në izolim në qoftë se kallëzimin do e kishte bërë çdokush tjetër, por të bëhet nga ai çift famëkeq është e trishtë dhe të besosh tek ata është si të investosh te Sudja e Rrapushi në ditët e fundit të falimentit. Me prova e fakte do të provoj fajësinë e atyre, që më hoqën lirinë në mënyrë brutale duke më arrestuar e më pas, duke sajuar prova të turpshme. Pyeta të bashkëpandehurin: për çfarë akuzohesh? Më tha: për evazion. Mirë që s’të ka njohur Monika – i thashë – se po të të kishte njohur, do të ishe grup me mua.

 

Edhe ndaj organit të akuzës, ish-ministri u shpreh i ashpër, duke thënë se me prangosjen e tij, po shkelet parimi i cështjes së gjykuar.

 

LEFTER KOKA


Gjykohem dy herë për të njejtën gjë. Akuza është thjeshtë kopje e procesit analog të Elbasanit. Akuza bazohet në mendime personale të fallxhores, jo në prova. Kjo çështje kërkon drejtësi! Drejtësia është vetëm një, e pandikuar nga interesa, e pandikuar nga akuza, e pandikuar nga opinioni. Përndryshe unë do të jem viktima e radhës e kjo padrejtësi mund të bjerë mbi këdo. Kjo strukturë nuk është kala, ku ju të bërë bashkë duhet ta mbroni, por është kala e çdo shqiptari për të marrë drejtësi.

 

Ai foli edhe për pasuritë e tij të ngrira nga sekuestroja e SPAK, të cilat sipas tij, janë rezultat i punës ndër vite.

 

LEFTER KOKA


Që nga viti 2003 kur mora edhe detyrën e kryetarit të Bashkisë Durrës, kam qenë subjekt i deklarimit të pasurisë dhe pronat që disponoj janë fryt i punës sime të ndershme dhe jo i ryshfeteve, as i trafiqeve, as i prostitucionit e as i të qenit aksioner anonim në shoqëri ndërtimi, e për të atillë më njeh Durrësi qyteti im, e më gjerë. Meqënese nuk u provua asnjë shumë e përfituar, asnjë llogari bankare , asnjë aset i shtuar që nga viti 2010, prokurorët menduan të më akuzojnë për pastrim dhe të sekuestrojnë prona të përftuara që në vitin 2000.

 

Për ish-ministrin e mjedisit, Lefter Koka organi i posaçëm i akuzës ka kërkuar dënimin me 10 vjet burg, për korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim detyre, të cilat me gjykim të shkurtuar konvertohen në 6 vjet e 8 muaj.

 

Sipas SPAK, Koka përfitoi si rryshfet 4.8 milionë euro në total për inceneratorin e Fierot dhe atë të Elbasanit.

 

Për ish-vartësin e tij, Alqi Bllako, SPAK ka kërkuar 7 vjet heqje lirie, të cilat shkojnë në 4 vite e 8 muaj, ndërsa për pronarin e kompanisë koncesionare, Klodian Zoto, 12 vite burgim.

 

Ndërkaq, seanca e radhës u caktua në datën 11 shtator.