Kryeministri i Greqisë, Myriakos Mitsotakis ka deklaruar sot se çështja e Fredi Belerit ka lëkundur marrëdhëniet dhe progresin që Shqipëria dhe Greqia kanë bërë, sidomos në vitet e fundit.
Në një konferencë për shtyp nga Athina, ai tha gjithashtu se më e rëndë se burgosja e Belerit është pengimi i tij për tu betuar si kryetar i Bashkisë së Himarës.
KYRIAKOS MITSOTAKIS
KRYEMINISTËR I GREQISË
“Më shqetëson veçanërisht, jo vetëm burgosja e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, por që edhe sot Shqipëria po i mohon atij mundësinë qoftë edhe nga burgu të betohet si kryetar bashkie. Është një vendim administrativ, unë nuk jam anëtar i drejtësisë shqiptare, por kjo është shkelje e rregullave të shtetit ligjor, e cila ka shkaktuar probleme në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe në përpjekjen e Shqipërisë për t’iu bashkuar familjes evropiane.”
Mitsotakis tha se do të vijojë përpjekjet e tij për çështjen në nivel ndërkombërtar por edhe personalisht me kryeministrin Rama.
“Uroj dhe shpresoj që së shpejti të gjendet një zgjidhje. Nuk do të ndalem së ngrituri çështjen në nivel europian, por edhe drejtpërdrejt tek kryeministri Rama kur ta takoj sërish.”
Kryeministri Grek foli edhe për minoritetin grek në Himarë për të cilët tha se do të kenë gjithnjë mbështetjen e Greqisë.
Arrestimi i Fredi Belerit dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, ka krijuar një ngërc në marrëdhëniet diplomartike me Greqinë fqinje.
Athina zyrtare ka akuzuar Tiranën për burgosje dhe mbajtje në qeli të Belerit për qëllime politike, ndërsa autritetet shqiptare janë distancuar duke deklaruar se çështja Beleri i takon vetëm drejtësisë.