Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare Enver Hasani ka komentuar përplasjet në relacionin Kosovë-BE dhe refuzimin e Kryeministrit Kurti për ta pranuar Propozimin e Borrell për implementimin e marrëveshjes. Hasani thotë se Përfaqësuesi i Lartë ka bërë diçka që është në përputhje me mandatin e tij – për çka ka pasur pajtim të palëve në Ohër.
Sipas Hasanit, ajo që po bën Kryeministri është rezistencë e njëanshme dhe papranueshme. Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese thotë se refuzimi i planit të implementimin që tani u bë pozicion zyrtar i BE’së, do t’i sjellë Kosovës sanksione të reja. Megjithatë, Hasani në gjithë këtë sheh një lojë të Kurtit, që i dedikohet votuesve të tij Kurti po zbaton gradualisht zotimet që ka marrë përsipër në emër të Kosovës, sado fatale që janë.
“Ajo që po bën Miroslav Lajçak nuk është asgjë tjetër veçse zbatim i përpikët i Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, duke u bazuar në instrumentin për implementim të saj që u arrit në Ohër mes palëve. Sa i përket mënyrës së zbatimit të zotimeve që i mori përsipër në Bruksel zoti Kurti, më lejoni të kujtoj se në Ohër ai u pajtua për sa vijon: një, që mos të ketë renditje në zbatim të dispozitave dhe zotimeve nga Marrëveshja e Brukselit/Ohrit; dy, që për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit do të themelohet një trup i BE-së që bën interpretimin përfundimtar të saj; dhe, së fundit, tre, që progresi për zbatim të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit të raportohet në strukturat e BE-së me qëllim të vlerësimit të arritjeve të palëve në rrugëtimin e tyre drejtë integrimit në BE.”, tha ai në një intervistë për Gazetën Express.
I pyetur rreth “diskutimit për propozime” të cilin e ngjalli Kurti pas takimit të fundit në Bruksel, Hasani tha se Borrell me propozimin për mënyrën e implementimit të marrëveshjes ka ushtruar mandatin e tij, ndërsa Kurti po reziston ndaj zbatimit të zotimeve që i ka pranuar në emër të Kosovës dhe me vullnet të lirë.
Hasani ka thënë se qasja e Kurtit është e njëanshme dhe e papranueshme.
“Dallimi është substancial. Ajo që bëri Borrel është në mandatin e tij dhe për këtë ka pasur pajtim të palëve në Ohër. Ajo që ka bërë Kurti është rezistencë ndaj zbatimit të zotimeve ndërkombëtare të marra përsipër në emër të Kosovës me vullnet të lirë. Qasja e Kurtit është e njëanshme dhe e papranueshme, sepse detyrimet ndërkombëtare që merren përsipër nuk mund të ndryshohen në mënyrë të njëanshme dhe as të iket nga zbatimi i tyre në mënyrë arbitrare.”, tha Hasani.
Ai gjithashtu ka deklaruar se refuzimi i Kurtit do të has në sanksionim të mëtejshëm të Kosovës brenda strukturave të BE-së.
“Pranimi sigurisht që do të lehtësonte komunikimin e Kosovës me BE dhe do të ndikonte në heqjen e sanksioneve. Krejt natyrshëm pres që refuzimi i Kurtit të has në sanksionim të mëtejshëm të Kosovës brenda strukturave të BE, sepse një gjë e tillë është e përcaktuar me Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit, ku vetë BE përmes trupave të saj bën vlerësimin e hapave që palët ndërmarrin në kuadër të dialogut të institucionalizuar në Ohër në mënyrë përfundimtare.”, tha Hasani.