Kryeministri Edi Rama e ka konsideruar tragjike vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës në veri, ngjarje të cilën e cilëson si këmbanë alarmi për rrezikun e një konflikti të armatosur.
Rama thekson se ndërkombëtarët duhet të angazhohen në uljen e palëve në tryezën e dialogut, si e vetmja formë për parandalimin e përshkallëzimit të situatës.
Kreu i qeverisë kërkon thirrjen e një konference të jashtëzakonshme me KFOR, si domosdoshmëri për vendosjen e rendit dhe paqes në Kosovë e kudo në rajon.
“Tragjedia e humbjes së jetës së efektivit të Policisë së Kosovës është këmbana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur. Kriminelët që i morën jetën një njeriu të pafajshëm, i cili shërbente nën uniformën shtetëtore të forcave të rendit të Republikës së Kosovës, duhet të dalin përpara drejtësisë. Komuniteti euroatlantik duhet të mbledhë të gjithë forcën e tij imponuese dhe të ulë pa kthim, Kosovën dhe Serbinë në tryezën e Dialogut të Normalizimit. Thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikqyrjen e garancinë e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, e njëkohësisht marrja e të gjitha masave të jashtëzakonshme me KFOR-in, për moslejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës, janë një domosdoshmëri strategjike jo vetëm për rendin e sigurinë në Kosovë sot, po edhe për paqen e të ardhmen e rajonit nesër, përpara sesa kriza e zgjatur në Veriun e Kosovës të dalë jashtë kontrollit e të kthehet në një zjarr destabilizues për krejt rajonin”, shkruan ai.
Në të njëjtën kohë, ndërkombëtarët kanë dënuar aktin tragjik në veri të Kosovës. Kreu i Shtetit dhe ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, kanë konfirmuar qëndrimin e Tiranës zyrtare krah Kosovës.
Tragjedia e humbjes së jetës së efektivit të Policisë së Kosovës është këmbana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur. Kriminelët që i morën jetën një njeriu të pafajshëm, i cili shërbente nën…
— Edi Rama (@ediramaal) September 24, 2023