Qeveria për Tetovën dhe Zhelinën/ Marrëveshje përmes fletë-obligacioneve për të zvogëluar detyrimet dhe përmirësuar stabilitetin financiar

Ministria e Financave ka lansuar Fletobligacionet Strukturore për të siguruar mjete financiare për komunat e Tetovës, Zhelinës dhe Vinicës. Vlera totale e fletobligacioneve është 274,417,404 denarë. Komuna e Tetovës ka një vlerë prej 250,165,143 denarë, Zhelina 21,735,891 denarë dhe Vinica 2,516,370 denarë. Kjo është bërë në përputhje me ligjin për financimin e njësive të vetëqeverisjes lokale.

Në bazë të nenit 41-b të Ligjit për Financimin e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, komunat e Tetovës, Zhelinës dhe Vinicës kanë kërkuar në Ministrinë e Financave për sigurimin e mjeteve për financimin e detyrimeve të maturuara dhe të papaguara.

Shfrytëzuesit e fundit të fletobligacionit janë kreditorët, ndaj të cilëve komuna e Tetovës, Zhelinës dhe Vinicës kanë pasur detyrime të maturuara dhe të papaguara deri më datë 30.09.2021. Poseduesit e fletobligacioneve strukturore mund t’i shfrytëzojnë ato për të shlyer detyrimet e tyre ndaj Drejtorisë së të Hyrave Publike, si borxhin tatimor të maturuar në bazë të TVSH-së (përveç TVSH-së gjatë importit) dhe tatimit mbi fitimin.

Afati i maturimit të fletobligacioneve është 10 vjet dhe komunat detyrohen që ta kthejnë vlerën nominale të përgjithshme të fletobligacionit në këste të barabarta 10 vjeçare në llogarinë e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Marrëveshjet do të nënshkruhen mes Ministrisë së Financave dhe komunave të Tetovës, Zhelinës dhe Vinicës për të reduktuar detyrimet dhe përmirësuar stabilitetin financiar.