Fronti opozitar, bart me vete marrëdhëniet kaotike nga e kaluara!

-Mëritë e kaluara dhe interesat e ngushta partiake, janë barriera që vështirë kalohen dhe e ngulfasin bashkëpunimin e tyre, i cili edhe ashtu deri tash, nuk ka dhënë fryte. Liderët e tyre vihen në siklet nga mediat kur pyeten se si i kanë pasur të acaruara raportet, por u ikin përgjigjes.

Shkup, 3 tetor/indeks.mk – Funksionimi i bashkëpunimit midis partive të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut është një sfidë e madhe për momentin. Qëllimi “i përbashkët” që synojnë zënien e e vendit të pakontestushëm të deritashëm të BDI-së në pushtet, i bën ato që të kalojnë përtej raporteve tejet të tendosura midis tyre në të kaluarën. Por a kanë perspektivë në këtë rrugëtim të ri të tyre?
Ish-deputeti Ismet Ramadani u shpreh se çdo cikël zgjedhor ka dëshmuar për zhvillimin e marrëdhënieve kaotike midis partive të opozitës shqiptare, ku shkas i marrëdhënieve të çrregulluara dhe ndasove, kanë qenë interesat e personale, grupore dhe partiake, që kanë ndikuar që këto parti të mos dalin fituese kundrejt Bashkimit Demokratik për Integrim që të shpeshtën ka qenë disa hapa para tyre.
Ramadani u shpreh se, duke marrë parasysh historikun e bashkëpunimit respektivisht të ndarjeve midis partive opozitare shqiptare, ka ngapak rezerva se si do të funksionojë ky bashkëpunim
Historiku i partive politike opozitare shqiptare pason me një serë bashkëpunimesh të pasuksesshme, filluar që nga gjeneza e pluralizmit politik e deri në ditët e sotme. Sipas gazetarit dhe njohësit të çështjeve politike Driton Zenku kjo histori e bashkëpunimeve të ripërsëritura të opozitës shqiptare, ku secila prej tyre kanë dështuar për shkak të realizimit vetëm të interesave vetjake, ka rezultuar me sjellje të neveritshme për opinionin publik.

Zenku u shpreh se përveç bashkëpunimeve të shumta të opozitës shqiptare që nga fillimet e pluralizmit politik, tani është vërejtur një intesifikim i bashkëpunimit mes partive politike shqiptare në vitet e fundit. Por sipas tij, të gjitha bashkëpunimet mes partive politike shqiptare i ka përcjellë fati i mossuksesit dhe përjashtim nuk do të ketë as bashkëpunimi mes partive politike që krijuan së fundmi Frontin Opozitar. Interesat e ngushta partiake janë ata që ngulfasin bashkëpunimin mes tyre.

Zenku i bën një përshkrim historikut më të gjatë të bashkëpunimeve midis partive shqiptare.

“Në fillim të pluralizimit politik pati një bashkëveprim mes PPD-së dhe PDP-së. Tjetër bashkëpunim pati në vitin 1998 kur PPD dhe PPDSH hyjnë në koalicion parazgjedhor. PPD doli me më tepër deputetë nga lista e përbashkët, por në pushtet hyri PPDSH bashkë me VMRO-DPMNE-në! Më vonë, RDK e Rufi Osmanit dhe Demokracia e Re e Imer Selmanit bashkëpunuan në zgjedhjet lokale dhe ato presidenciale të viti 2009. Me mbarimin e zgjedhjeve, mbaroi edhe bashkëpunimi mes tyre. Tjetër bashkëpunim pati në vitin 2011 mes PDSH-së së Menduh Thaçit dhe RDK-së së Rufi Osmanit. Bashkëpunimi zgjati për disa javë derisa plasi sherri mes tyre.”, rikujton Driton Zenku.”Viteve të fundit vërehet një intesifikim i bashkëpunimit mes partive politike shqiptare, por për fat të keq, interesat determinojnë jetëgjatësinë e tyre. Në vitin 2016 u krijua një front opozitar mes LR-PDSH-së së atëhershme, RDK-së dhe Unitetit. Brenda një viti krisi bashkëpunimi mes tyre. Më vonë në vitin 2020 ASH hyri në koalicion parazgjedhor me Alternativën. Dihet fati i këtij koalicioni, Alterntiva u shkëput dhe hyri në qeveri. Doli nga qeveria për t’u zëvendësuar nga ASH që aktualisht të bashkëqeveris me LSDM-në dhe BDI-në.”

Ai rikujton edhe vitin 2021, kur pati një bashkëpunim mes ASHsë dhe Lëvizjes Besa që sot është inekzistente. Ky është fati i bashkëpunimeve mes partive politike shqiptare dhe përjashtim nuk do të ketë as bashkëpunimi mes partive politike që krijuan së fundmi Frontin Opozitar. Interesat e ngushta partiake janë ato që ngulfasin bashkëpunimin mes tyre, është i bindur Zenku.

Zenku gjithashtu u shpreh se ndërprerja e bashkëpunimeve politike po vazhdon në mënyrë përsëritëse. Kjo sjellje është e neveritshme për opinionin publik, pasi rezultatet dhe suksesi i këtyre bashkëpunimeve janë të njohura. Kjo bëhet edhe më e neveritshme tani që po hasim rikthim të bashkëpunimit të atyre që janë ndarë keq dikur. Për shembull, bashkëpunimi mes Lëvizjes Besa dhe Alternativës, të cilat ishin një subjekt i vetëm, u ndanë në dy subjekte të veçanta dhe tani po ribashkohen. Ose bashkëpunimi mes Lidhjes Demokratike dhe Alternativës, përfaqësues të të cilave subjekte deri dje Çairin e kishin arenë të vrazhdë përplasjesh politike. Këtu del në sipërfaqe edhe degradimi, mungesa e moralit dhe e principeve”

“Është krijuar përshtypja që bashkëpunimet mes tyre lidhen vetëm kur e shohin të pamundur që të mbijetojnë vetëm në skenën politike, apo për matematikë të liderëve politikë që me çdo kusht dëshirojnë të zgjidhet deputet apo kryetar komunash. ”, përfundon Zenku.

Ditëve të fundit në debate televizive, liderët e këtyre partive janë pyetur edhe për raportet e acaruara që kanë pasur dikur, por janë munduar t’i ikin përgjigjes.