Teksa konflikti Izrael-Hamas thellohet nga dita në ditë, SHBA ka konfirmuar se po dërgon në Mesdheun lindor aeroplanmbajtësen e dytë. Sekretari amerikan i mbrojtjes Austin bëri të ditur se kjo po bëhet me qëllim mbrojtjen e Izraelit nga veprimet armiqësore dhe së dyti për parandalimin e çdo përpjekje për zgjerimin e konfliktit përtej Izraelit dhe Hamasit.
Aeroplanmbajtësja e dytë dhe anijet luftarake të lidhura me të do t’i bashkohen një grupi tjetër transportues të vendosur tashmë në rajon pas sulmit ndaj Izraelit një javë më parë dhe reagimit të vazhdueshëm të Izraelit ndaj Gazës.
SHBA ka dërguar municione në Izrael dhe ka paralajmëruar vendet e tjera që të mos e përshkallëzojnë konfliktin.
Nga ana tjetër Irani ka paralajmëruar për pasoja të rënda nëse krimet e luftës dhe gjenocidi i Izraelit në Rripin e Gazës nuk ndalen menjëherë.
Ministri i Jashtëm iranian u takua me liderin e Hamasit në Doha të Katarit dhe siç bëhet me dije të dy ranë dakord të vazhdojnë bashkëpunimin për të arritur qëllimet e Hamasit.
Ndërkohë numri i viktimave i ka kaluar 3800 nga të dyja palët e përfshira në konflikt. Bilanci pritet të rritet edhe më shumë për shkak të situatës humanitare të përkeqësuar përgjatë rripit të Gazës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dënuar urdhrin e Izraelit për evakuimin e 22 spitaleve në veri të Gazës që po trajtojnë më shumë se 2000 pacientë të shtruar.
“Lëvizja e pacientëve në Gazën jugore, ku objektet shëndetësore tashmë funksionojnë me kapacitet maksimal mund të barazohet me një dënim me vdekje” tha organizata.
Pas sulmeve terroriste të Hamasit të shtunën e kaluar, Izraeli izoloi të gjithë rripin e gazës duke ndaluar hyrjen e ujit, ushqimit karburanteve dhe ndihmave humanitare .
Ndërsa dy ditë më parë, ushtria izraelite urdhëroi evakuimin e të gjithë veriut të rripit të Gazës brenda 24 orëve pasi po planifikon një sulm gjithëpërfshirës nga toka ajri dhe nga deti.