Lufta mes Izraelit dhe Hamasit nga dita në ditë bëhet edhe më e përgjakshme. Më shumë se 4200 persona kanë humbur jetën, ndërsa rreth 14.359 të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Pavarësisht kësaj shpresa për gjetjen e personave të mbijetuar nga sulmet nuk është shuar ende. Ky është momenti kur një palestinez kërkon nën rrënoja fëmijët dhe nënën e tij në jug të Rripit të Gazës.
Dëshmitarët në vendin e ngjarjes kanë deklaruar se dhjetëra persona kanë mbetur të vdekur nga sulmi i Izraelit në Gazën Jugore. Nga ana tjetër grupi militant Hesbollah ka bërë me dije se ka lëshuar raketa drejt tankeve izraelite, por ende nuk dihet nëse janë shënuar viktima.
Numri i arrestimeve nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor është trefishuar që nga fillimi i përshkallëzimit të konfliktit. Më shumë se 700 palestinezë janë arrestuar deri me tani. Po ashtu Ushtria izraelite ka thënë se ka vrarë katër militantë që kishin të veshur jelekë me eksplozivë, e të cilët po tentonin të kalonin kufirin për në Izrael nga Libani
Situata bëhet edhe më e vështirë, pasi rezervat ushqimore, energjia elektrike dhe uji po mbarojnë dhe ndihmat humanitare ende nuk lejohen të hyjnë në Gaza. Nga ana tjetër OKB ka ngritur shqetësimin për shpërthimin e sëmundjeve nga uji i ndotur që po përdorin banorët në mënyrë që të mund të mbijetojnë.