Austria kërkon njohjen e Kosovës nga të gjitha vendet e BE-së dhe progres në bisedimet për anëtarësim

Ministrja e Qeverisë së Austrisë për BE dhe Kushtetutën, Karoline Edtstadler, ka bërë një propozim për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, duke kritikuar mungesën e angazhimit të BE-së në rajon. Ajo ka shprehur qëndrimin zyrtar të Austrisë që Bashkimi Evropian duhet të marrë drejtimin në rajon dhe të mbajë premtimet për vendet kandidate dhe aspirante.

Edtstadler ka thënë se gjatë këtij viti duhet të hapen bisedimet për anëtarësim me Bosnje e Hercegovinën, ndërkohë përgjatë vitit 2024 thotë se duhet të organizohen konferenca ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ajo ka kërkuar të bëhet progres real me anëtarësimin e Malit të Zi dhe të Serbisë para zgjedhjeve të brendshme në Bashkim Evropian.

Në pikën katër të propozimit të saj, Edtstadler ka përmendur edhe Kosovën dhe dialogun për normalizim me Serbinë. Ajo ka thënë se duhet të bëhet progres me procesimin e aplikacionit të Kosovës për anëtarësim gjithashtu para zgjedhjeve të brendshme, duke lidhur këtë me zhvillimet e mëtejme në bisedimet për normalizim ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ajo ka potencuar se nëse Bashkimi Evropian dëshiron ta marrë drejtimin në rajon, njohja e Kosovës nga të gjitha vendet anëtare është e domosdoshme.

“Jam plotësisht e bindur se familja evropiane nuk është e plotë pa gjashtë partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor. Le të tregojmë se Evropa është e aftë të jetë një aktor gjeopolitik të paktën në portat e saj – jo, në oborrin e saj”, ka shkruar ministrja austriake në profilin e saj zyrtar. (politiko.mk)