Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi bashkë me ekipin, pati takim bilateral me Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak. Nuk ka pasur takim trilateral mes palëve, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.
Në takim, u trajtuan tema të cilat ndërlidhen me zbatimin e Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit, Aneksit Implementues të 18 marsit dhe planin e ri për ecjen përpara të 21 tetorit.
ZKM thotë se ky ishte takimi vijues i procesit pas atij të 26 tetorit me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe BE-së, ku Republika e Kosovës theksoi qëndrimet e saj si dhe gatishmërinë për nënshkrim dhe zbatim të plotë të marrëveshjeve.
“Draft-propozimi për zbatim të nenit 7 ndërlidhur me nenin 10 nuk ishte pjesë e diskutimeve, por u ritheksua qëndrimi i Kryeministrit Kurti të paraqitur me 26 tetor para liderëve, që nënkupton se ecja tutje duhet bërë në pajtim me parimin se vetëm nënshkrimi nënkupton pranim dhe zbatim të marrëveshjeve”, thuhet në njoftim.