Shefi i OSBE-së në Kosovë: Jemi të gatshëm për zgjedhjet serbe në Kosovë, por kushtet aktualisht nuk ekzistojnë

Kreu i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Prishtinë, Michael Davenport, tha për mediat serbe se ky mision është i gatshëm të angazhohet në mbledhjen e votave të votuesve serbë që do të votonin në Kosovë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të planifikuara për në dhjetor në Serbi, transmeton FrontOnline.

“OSBE-ja është e gatshme që në zgjedhjet serbe të bëjë mbledhjen e votave të votuesve që do të votonin në Kosovë, siç ishte në zgjedhjet e mëparshme, duke supozuar se për këtë ekzistojnë të njëjtat kushte. Këto janë para së gjithash një konsensus për qasjen ndaj kësaj çështjeje nga të gjithë ata që janë të interesuar për të, përkrahja e institucioneve të Kosovës dhe thelbësore duhet të ketë përkrahje sigurie të Policisë së Kosovës, në mënyrë që votimi të bëhet”, tha Davenport.

Se ku do të votojnë qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë më 17 dhjetor, tha ai, do të varet nga përmbushja e këtyre kushteve.

“Në këtë pikë, këto kushte duket se nuk janë përmbushur. Sigurisht që ka logjistikën dhe buxhetin e duhur. Ne jemi të gatshëm të angazhohemi, por në këtë pikë, ato kushte nuk janë përmbushur”, theksoi Davenport.

Serbia përmes drejtorit të të ashtuquajturës Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka kërkuar nga OSBE-ja që zgjedhjet parlamentare të Serbisë të planifikuara për 17 dhjetor të këtij viti të organizohen edhe në territorin e Kosovës, gjegjësisht që misioni duhet të angazhohet në organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, dërgimin e materialeve zgjedhore në vendvotime, si dhe në mbledhjen e fletëvotimeve dhe transportimin e tyre pas përfundimit të votimit, në përputhje me procedurat që janë zbatuar gjatë zgjedhjeve të mëparshme të mbajtura në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më pas i dërgoi një letër Davenport-it në të cilën thoshte se “Serbia duhet të propozojë një marrëveshje të veçantë për t’i mundësuar komunitetit serb në Kosovë të marrë pjesë në zgjedhjet e dhjetorit”./FrontOnline/