Akademi solemne për Ditën e Alfabetit, kreu shtetëror me mesazhe për respekt të ndërsjellë

Me mesazhe për respektim të gjuhës shqipe, por edhe për respekt të ndërsjellë midis komuniteteve në vend, vijoi Akademia solemne me rastin e shënimit të Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

Ahmeti: Gjuha shqipe përkrah maqedonishtes

Ndërkohë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se e ardhmja e vendit drejt BE-së ndërtohet së bashku e jo të ndarë, andaj uroi për jetë gjuhën shqipe përkrahë gjuhës maqedonase.

“Të rrojë gjuha jonë, të rrojë edhe gjuha e bashkëqytetarëve tanë maqedonas, sepse të ardhmen e ndërtojmë bashkë, e jo të ndarë, gjuhët t’i përparojmë bashkë dhe bashkë krahë për krahë, e jo njëri pas tjetrit. Të çajmë në punë, në materializim të objektivave tona që vendi ynë të jetë në paqe të përhershme i integruar aty ku e ka vendin në BE.”, – theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Evenimenti u gërshetua me program të pasur artistik dhe u nderua nga politikanë, si dhe kori diplomatik në vend.

Pendarovski: Ne maqedonasit e dimë rëndësinë e Kongresit

Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, tha se 115 vjetori i shënimit të ditës së alfabetit nuk flet vetëm për një vlerë fundamentale të shqiptarëve, por edhe për ekzistimin e tyre në këto troje.

Sipas Pendarovskit, rëndësinë e kësaj ngjarjeje e kuptojnë më së miri maqedonasit.

“Për shkak të gërshetimeve tona historike dhe kontestimet nga fqinjët, ne maqedonasit më së miri e dimë se çfarë domethënie kanë vendimet e Kongresit të Manastirit për bashkëqytetarët tanë shqiptarë. Unifikimi i alfabetit shqip ishte parakusht kritik për përforcimin e identitetit gjuhësor dhe etnik. Alfabeti i unifikuar u bë gurthemel i përkatësisë kulturore duke nxitur krenarinë kombëtare.”, – deklaroi presidenti, Stevo Pendarovski.

Kovaçevski: Të bashkuar për të mirën e shtetit drejt BE-së

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, gjithashtu u përqendrua në respektimin e ndërsjellë si vlerë e shtuar evropiane. Ai nënvizoi respektimin e gjuhës shqipe në Qeveri.

“Edhe pse të gjithë nuk flasim gjuhën e njëjtë, historia jonë, rrënjët tona janë të gërshetuara. Të gjithë jemi të ndryshëm, por në të njëjtën kohë të njëjtë ndajmë sfida të njëjta për të ndërtuar një shoqëri për të gjithë, një shtet për të gjithë, ku lirshëm do të veprohet, shkruhet dhe jetohet, gjithsecili në gjuhën e tij amtare, por me respekt ndaj tjetrit. Të respektohemi, të ndihmohemi dhe të bëhemi të gjithë një për të mirën e shtetit drejt BE-së.”, – deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.