Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti nga Samiti i III-të i Diasporës në Tiranë ka lëshuar disa porosi.
Fjalimin e tij, Ahmeti e nisi duke thënë se ka qenë dhe vazhdon të jetë mërgimtarë, shtoi se në jetë e kanë ndjekur dhe shërbyer dy porosi nga rilindësit.
“Gjaku i arbërit po rrjedh nga Jeronim Derada dhe shihet që porosia e tij, është e gjallë sepse në këtë sallë janë arbëreshët, janë të gjithë mërgimtarët shqiptarë. Porosia e dytë është ajo e As Drenit që i ligjëroi me aq përkushtim Kosovës “Bukën na e dha nëna dhe armët na i dha nëna”, çdo ushtarë ka lëvizur mbi trupin e kësaj nëne dhe sot Kosova është shtet i mëvetësishëm dhe shqiptarët në RMV, janë shtetformues me të gjitha vlerat që i takojnë një kombi, me Flamur, gjuhë, universitete. Shqiptarët në Mal të Zi, mbase nuk kishim menduar se do të kishim, kryeministër shqiptarë, Dritan Abazeviçin”, tha mes tjerash Ahmeti.
Shtoi se mërgata shqiptare ka qenë e pazëvendësueshme historikisht.
“Që nga Bukureshti, dhe në fund më e reja, por e larë me gjak ajo e Evropës, që udhëhiqeshe nga Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla dhe që kulmoi me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Luftërat i fituam, edhe politikisht edhe ushtarakisht edhe diplomatikisht. Sot kemi një luftë të re dhe më të fortë, ta bëjmë të begatë, atdheun tonë, të organizohemi shumë më fuqishëm se sa jemi të organizuar dhe këtë mundësi mërgata e ka”, deklaroi mes tjerash kreu i integristëve, Ali Ahmeti.